Duke folur në samitin e NATO-s në Uashington, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha se vendet perëndimore kanë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për çështjen e Rripit të Gazës ndërsa iu përgjigj ashpër presidenti francez, Emmanuel Macron.
Përkatësisht, Sanchez përsëriti se vendet perëndimore “nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë askënd të na akuzojë se kemi standarde të dyfishta në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare”.
Sanchez tha të mërkurën se vendet perëndimore ishin fajtore për “standarde të dyfishta” në mbrojtjen e tyre të vendosur të ligjit ndërkombëtar kur bëhej fjalë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, por jo për palestinezët kur ishte fjala për luftën e Izraelit në Gaza dhe bëri thirrje për “pozicion e politikë të qëndrueshme”.
Nga ana tjetër, i pari i shtetit francez iu përgjigj deklaratave të Sanchezit duke pohuar se Perëndimi duhet t’i përgjigjet fuqishëm akuzave për “standarde të dyfishta” kur bëhet fjalë për luftën e Izraelit në Gaza.
“Ndonjëherë ne kritikohemi se jemi shumë më pak të shqetësuar për Gazën sesa për Ukrainën, dhe kjo kritikë është thellësisht e dëmshme për të gjithë ne”, tha Macron para gazetarëve në samitin e NATO-s në Uashington.
“Ne duhet të tregojmë se është e pabazë. E përsëris këtu se është urgjentisht e nevojshme të arrihet një armëpushim në Gaza, të lirohen pengjet dhe të kryhet de-përshkallëzimi që është i nevojshëm për të parandaluar përhapjen e luftës në Liban”, tha ai.
Spanja ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj të palëkundur për Gazën dhe palestinezët.