Situata në dy spitalet COVID: 33 pacientë të shtruar, 7 prej tyre në terapi intensive

schedule11:30 - 3 Maj, 2020

schedule 11:30 - 3 Maj, 2020

6 raste të reja janë konfirmuar pozitiv me COVID-19 në Shqipëri. Nga rastet e reja, 1 është regjistruar në Tiranë dhe 5 rastet e tjera janë në Krujë dhe Kurbin, duke çuar në total numrin e të prekurve në 795.

Ministria e Shëndetësisë njofton se momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

Ndërkohë Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi se Kruja është zona me numrin më të lartë të rasteve aktive në vend.

Lexo edhe: Lajm i mirë: 67% e të prekurve nga COVID-19 janë shëruar

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive, është si vijon:
Krujë 91
Tiranë 90
Kurbin 20
Shkodër 17
Kukës 5
Elbasan 2
Mirditë 2
Berat 2
Korçë 1
Lezhë 1
Lushnje 1
Mat 1

Sot janë në fuqi masat lehtësuese si lëvizja për të moshuarit deri në orën 10:00, për prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç deri në orën 17:30, ndërsa të gjitha bizneset gjatë ditës së sotme do të jenë të mbyllura.

Duke filluar nga nesër datë 4 Maj do të shtohen “zonat e gjelbërta” edhe në bashkitë ku ka risk të ulët të transmetimit të infeksionit.

Në të gjithë vendin do të lejohet shërbimi taksi për udhëtimet ndërqytetase me deri dy pasagjerë, anëtarë të një familjeje.

Të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesë.

Pavarësisht se nga e hëna do të ketë një lehtësim tjetër të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, ndërkohë që bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shtuar një shërbim të ri në linjën e gjelbër 0800-40-40, duke ofruar këshillim psikologjik për qytetarët që kanë ankth apo shqetësime të tjera si pasojë e COVID19. Në numrin e gjelbër mund mund të telefononi për pyetje për sëmundjet kronike apo informacion mbi COVID19.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!