Situata dramatike në Kazakistan, arrestohen rreth 4 mijë persona

schedule21:57 - 7 Janar, 2022

schedule 21:57 - 7 Janar, 2022

Shërbimet e sigurisë të Kazakistanit kanë arrestuar 3,811 persona në lidhje me trazirat që shpërthyen në vend, njoftoi të premten Ministria e Brendshme, duke shtuar se 26 pjesëmarrës në incidente u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme të Kazakistanit tha se 10 pjesëtarë të personelit të sigurisë ishin plagosur në trazira, sipas rrjetit televiziv Khabar-24.

Ditët e fundit janë shënuar edhe 33 sulme kundër zjarrfikësve dhe janë dëmtuar 30 automjete. “Rebelët sulmuan me gurë dhe qëlluan zjarrfikësit, të cilët, megjithatë, arritën të shuanin 75 zjarre dhe të shpëtonin 143 njerëz,” tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme.

Në të njëjtën kohë, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken shprehu dyshime nëse ishte e nevojshme që Kazakistani të kërkonte vendosjen e forcave ruse në territorin e tij për t’u marrë me trazirat dhe paralajmëroi se do të ishte “shumë e vështirë” të tërhiqej në të ardhmen.

“Një mësim nga historia e kohëve të fundit është se kur rusët janë në shtëpinë tuaj, ndonjëherë është shumë e vështirë t’i bëni ata të largohen,” tha ai në një konferencë shtypi në Uashington.

Në Kazakistan, shteti më i madh në Azinë Qendrore, trazirat shpërthyen të dielën e kaluar, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit. Trazirat u përhapën në qytetet kryesore, veçanërisht në Almaty, kryeqyteti financiar, ku u shndërruan në protesta të dhunshme antiqeveritare. Dhjetëra njerëz u vranë. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!