Sistemi i pensioneve në rrezik? Eksperti: Duhet të krijojmë skema që shpëtojnë gjeneratën e re

schedule22:33 - 20 Mars, 2024

schedule 22:33 - 20 Mars, 2024

Eksperti i ekonomisë, Artan Gjergji thotë se skema shtetërore e pensioneve është në rrezik pasi ka problematika deficitare. Në emisionin “Bardh a Zi”, duke folur për alternativat që duhen ofruar, ai tha se është e nevojshme që të krijohen skema që shpëtojnë gjeneratën e re, si ‘kolona e dytë’.

“Skemat shtetërore kanë problematika që dalin deficitare. Bota ka filluar të mendojë disa alternativa të tjera, krijimin e skemave që shpëtojnë gjeneratën e re. Nuk i çojnë kontributet tek kjo skema që falimentojnë por i çojnë në një skemë të dytë apo të tretë. Është e detyrueshme, por nuk është si kjo e sotmja, që detyrimet e mia shkojnë për pensionistin sot. Ndërkohë që kolona e dytë, funksionon si depozitë banke. Kontributet e mia çdo muaj nga paga shkojnë në një llogari që është vetëm e imja. Ato para investohet, dhe kur dal në pension, marr edhe lekët e mia që janë në llogari, marr edhe fitimin nga investimi që është bërë. Ne nuk e kemi kolonën e dytë. Është vullnetare.“, u shpreh ai.

Por eksperti Enriko Cenko sheh si zgjidhje që Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërorë të bëhet aksioneve në të gjitha ndërmarrjet publike në vend.

“Si ta ringremë skemën shtetërore? Si miniera ka akoma publike në Shqipëri? Pse nuk bëhet pronare drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore dhe të menaxhojë pronën publike. Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore duhet të bëhet aksionere në të gjithë ndërmarrjet publike, të investojë dhe këto t’i kthejë pensionet e larta. Po e bën gjithë bota.“, u shpreh Cenko.

Ndërkaq, sipërmarrësi Gjergji Gjika thotë se skema e pensioneve duhet rikonceptuar si biznes.

“Duhet rikonceptuar si biznes. Pavarësisht e bën shteti apo privati, kjo duhet parë si biznes, ku duhet të nxirren fitime. Që të paktën të dalin barazim. Pa u rregulluar sistemi ekonomik politik në Shqipëri, është vështirë, ne do të vazhdojmë në këtë kolaps. Mendoj se pas 5 vitesh, nëse vazhdojmë me këtë skemë, ata që do të dalin në pension, do të ngrohen në diell.“, u shpreh Gjika./abcnews.al