Kryeministri Boris Johnson autorizoi evakuimin e kafshëve nga Afganistani gjatë rënies së Kabulit, sipas disa emaileve të publikuara së fundmi. Kryeministri i ka hedhur poshtë më parë si “të pakuptimta” pretendimet se ai ndërhyri në evakuimin e organizatës bamirëse për mirëqenien e kafshëve Nowzad, të drejtuar nga ish-marinsi Royal Pen Farthing. Por një email nga një zyrtar në zyrën e ministrit Zac Goldsmith sugjeron se ai ishte personalisht i përfshirë.
Mesazhi i gushtit 2021 drejtuar një zyrtari tjetër në Ministrinë e Jashtme thotë: “Organizata bamirëse për mirëqenien e kafshëve Nowzad, e drejtuar nga një ish-marins britanik, ka marrë shumë publicitet dhe kryeministri sapo ka autorizuar stafin dhe kafshët e tyre që të evakuohen”. Kur u pyet në dhjetor nëse ai i kishte dhënë përparësi kafshëve mbi popullin afgan në evakuimin e Kabulit, Johnson tha: “Kjo është absurditet i plotë”. Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha: “Kryeministri nuk i udhëzoi zyrtarët të ndërmarrin ndonjë veprim të veçantë”.
Lord Goldsmith shkroi në Twitter: “Unë nuk autorizova dhe nuk mbështes asgjë që do të kishte vënë jetën e kafshëve përpara njerëzve”. Ai shtoi se nuk kishte diskutuar kurrë me kryeministrin për organizatën bamirëse për mirëqenien e kafshëve Nowzad “ose përpjekjet e tyre për të evakuuar kafshët”. Organizata bamirëse drejtonte një klinikë kafshësh, strehë për qen, mace dhe gomarë në Afganistan dhe trajnonte dhe punësonte qytetarët afganë.
Kur talebanët morën kontrollin e Kabulit, mbështetësit e tyre nisën një fushatë për evakuim, duke thënë se stafi ishte në rrezik për shkak të punës së tyre me organizatat e huaja dhe kafshët ishin në rrezik. Rreth 15,000 njerëz u dërguan jashtë vendit në gusht, duke përfshirë zotin Farthing dhe 150 kafshë. Stafi i tij mbeti pas, por më vonë arritën të sigurt në Pakistan.
Avioni që evakuoji kafshët u pagua nga donacione të njerëzve të ndryshëm. Raphael Marshall, i cili punonte për Ministrinë e Jashtme në atë kohë, i tha Komitetit të Punëve të Jashtme se kafshët u evakuuan pas një udhëzimi të drejtpërdrejtë nga zoti Johnson.
Një aleat i zotit Farthing, aktivisti për të drejtat e kafshëve, Dominic Dyer, i tha “BBC-së” se kishte kontaktuar me gruan e Johnson, për t’i kërkuar kryeministrit të fliste me Sekretarin e Mbrojtjes Ben Wallace për të siguruar që zoti Farthing dhe kafshët e tij të evakuoheshin. Wallace ka mohuar të jetë kontaktuar nga kryeministri lidhur me rastin. Ai i tha “BBC-së” se evakuimi i Kabulit është “udhëhequr nën autoritetin tim dhe u krye nga ushtria e Mbretërisë së Bashkuar përmes shefit të përbashkët të operacioneve”.
Ai shtoi: “Në asnjë moment ai apo unë nuk u drejtuam nga kryeministri për të evakuuar Pen Farthing, fuqinë punëtore apo kafshët e tij shtëpiake”. Siç e bëra të qartë në atë kohë, ne nuk do t’i vendosnim kafshët shtëpiake përpara njerëzve dhe siç treguan veprimet, Pen Farthing u largua i fundit dhe fuqia e tij punëtore u desh të largohej pasi evakuimi u përfundua me mjete të tjera.
Ai tha se sugjerimi se Lord Goldsmith kishte pasur “ndonjë autoritet apo përgjegjësi në drejtimin e evakuimit është qesharak”. / abcnews.al