Sinamati i bën autopsinë PD/ Përjashtohet nga Noka. E quan “kufomë politike”

schedule18:05 - 21 Shkurt, 2025

schedule 18:05 - 21 Shkurt, 2025

Nga besnikë në të përjashtuar. Në PD nuk mjafton vetëm ti bindesh kryetarit. Admir Sinamati, kandidati i berishës i cili humbi zgjedhjet lokale në Kukës përballë Safet Gjicit, është përjashtuar nga primaret për PD.

Siç thotë ai, jo nga Sali Berisha, por nga krahu i djathtë i doktorit, Flamur Noka.

“Pasi u përbetua lart e poshtë prej kaq kohësh duke kërkuar bashkëpunëtorë në bazë dhe qendër e nuk ia doli dot, dje, Flamur Noka kishte zgjedhur skenarin më të turpshëm; përjashtimin tim nga kandidimi në Kukës për çështje etike, duke bashkëpunuar me drejtuesen e KOKOE në PD zj. Albana Vokshi.

Pavarsisht kërkesës së kësaj të fundit, dhe insistimit hakërryes të Flamurit, fillimisht kryesia e PD dhe vetë Dr. Berisha ua hodhi poshtë këtë dëshirë; por insistimi ishte aq këmbëngulës nga ana e Nokës sa çuditërisht e çbëri këtë vendim kryesie rreth 30 minuta pas përfundimit të mbledhjes. “

Urdhrat që nuk i komunikon dot vetë, Berisha mesa duket i delegon, për të mbajtur larg kritikat ndaj tij për primaret, kur të paktën 5 deputetë i kanë refuzuar.

Por Admir Sinamati, inatin e ka me patriotin dhe kolegun e tij mjek, Flamur Nokën, të cilit i jep këshilla për etikën dhe librat.

“Ju nuk keni se si t’i zbatoni parimet etike kur nuk i njihni ato, sepse raportin me librin dhe njerzillëkun e keni patur gjithmonë armiqsor Flamur.  Nuk e di por jam i sigurtë nga veprimet që bën, se në bibliotekën tënde të përdorshme mund të keni vetëm një libër; “Zhozef Fushe” të Stefan Zëeig. Edhe një gjë o Flamur: ju e dini se jam i specializuar në Mjekësi ligjore dhe si i tillë shpesh më duhet “të flas” me kufoma, si patolog politik do kisha dëshiruar të mos merrem kurrë me kufoma politike, por nëse ndodh unë ua di gjuhën edhe atyre.”

Admir sinamati ka qenë mjek ligjor. Ai mbahet mend si mjek sepse bëri ekspertizen post mortum të Kosta Trebickës. Por reagimi i tij i fundit, ishte ekspertiza e vdekjes politike të një formacioni që solli demokracinë, por nuk arriti ta aplikonte dot mbi trupin e saj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!