Simon Harris do të betohet sot si kryeministri më i ri i Irlandës

schedule09:31 - 9 Prill, 2024

schedule 09:31 - 9 Prill, 2024

Simon Harris do të bëhet në moshën 37-vjeçare kryeministri më i ri në historinë e Irlandës. Ai ka përjetuar një zhvillim politik mbresëlënës, ndërsa falë pranisë së tij aktive në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ai synon t’i japë “dinamikë” të re partisë së  tij në funksion të një sërë garash elektorale.

Ai do të pasojë Leo Varadkar, i cili dha dorëheqjen në mars për habinë e të gjithëve duke përmendur arsye “personale dhe politike”, pa dhënë detaje.

Harris do të bëhet kryeministër i Irlandës në një moshë më të re se edhe Varadkar, i cili u zgjodh kryeministër në vitin 2017 kur ishte 38 vjeç.

Gjatë një konference për shtyp gjatë fundjavës, Harris u zotua të ringjallë partinë e tij dhe iu referua prioriteteve të tij kryesore, nga strehimi, ligji dhe rendi, tek mbështetja e bizneseve të vogla.

Ngritja e Harris në postin e kryeministrit mbulon një karrierë mbresëlënëse politike. Ai ka lindur në vitin 1986 dhe është rritur në një qytet të vogël afër Dublinit. Djali i një taksisti dhe një mësueseje, Harris nuk i mbaroi studimet për gazetari dhe frëngjisht pasi u fokusua në politikë në moshë të re.

Ai u përfshi në çështjet publike që në moshë të vogël, duke bërë fushatë për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara, i frymëzuar nga vëllai i tij autik. Në moshën 16-vjeçare ai iu bashkua të rinjve Fine Gael dhe u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 2011, në moshën 24-vjeçare.

Në vitin 2016 u emërua ministër i Shëndetësisë, në moshën 29-vjeçare. Ai qëndroi në këtë detyrë për katër vjet. Në fillim të pandemisë Covid-19, ai mori vlerësime për aftësitë e tij komunikuese, por edhe kritika për viktimat e shumta në azile.

Në fjalimin e tij të parë si udhëheqës i Fine Gael, Harris tha se kishte ardhur koha që partia të “ripërtërijë angazhimin e saj ndaj njerëzve”.

“Ka shumë gjëra që duhet të bëjmë në muajt e ardhshëm”, theksoi ai.

Për shkak të moshës dhe aftësive të tij komunikuese, kritikët e tij e kanë quajtur tashmë “Leo 2.0”, duke besuar se Harris do të ndjekë një version të ri të politikës së Varadkar, të cilin ata e akuzojnë se nuk ka lidhje me realitetin.

Por mbështetësit e tij besojnë se entuziazmi i tij mund t’i japë një shtysë të re Fine Gael, e cila është në vendin e tretë në sondazhe vetëm disa javë përpara zgjedhjeve lokale dhe europiane dhe më pak se një vit përpara zgjedhjeve parlamentare.

Irlandezët do të votojnë më 7 qershor për zgjedhjet lokale dhe europiane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!