Sigurimi i shëndetit në kohë pandemie, pësoi rënien më të thellë

schedule07:16 - 3 Shtator, 2020

schedule 07:16 - 3 Shtator, 2020

Teksa pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-Cov2 ka nxitur frikën për shëndetin, kjo ka dhënë efektin e kundërt tek tregu i sigurimeve. Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në të gjitha klasat e sigurimit të shëndetit ka pasur rënie të thellë në portofolet e kompanive të sigurimit.

Rënia me 71.48 për qind për periudhën janar-korrik 2020 në raport me një vit më parë në grupin jeta dhe shëndeti në udhëtim është e pritshme. Kufizimi i qarkullimit ka bërë që të ketë më pak njerëz që kanë udhëtuar jashtë e për pasojë më pak sigurime.

Primet e shkruara bruto ishin 3.3 milionë lekë nga 11.8 milionë lekë që ishin një vit më parë. Numri i kontratave për këtë grup ka rënë me 73.3 për qind duke regjistruar vetëm 5784 kontrata.

Grupi me rënien më të thellë është ai i jetës në grup me 78 për qind sa i takon primeve të shkruara bruto për 7 mujorin e këtij viti në raport me një vit më parë. Ky sigurim përfshin grupe të ndryshme sigurimi që janë pjesë e një kompanie të caktuar dhe që në rast të ndodhjes së ngjarjeve të siguruara përfitohet dëmshpërblim financiar ose një shumë fikse e sigurimit të përcaktuar në kontratë.

Ky sigurim është një formë mbrojtjeje financiare. Situata e vështirë e krijuar nga pandemia që ka prekur çdo qelizë të ekonomisë duket se ka bërë që kompanitë të orientojnë fondet e tyre në çështje më emergjente duke lënë sigurimin e jetës në grup si dytësor. Primet e shkruara bruto në këtë klasë ishin 10.4 milionë lekë nga 47.6 milionë lekë që ishin një vit më parë për janar-korrik.

Klasa e tretë e shëndetit që është jeta e kombinuar dhe që parashikon kombinim të sigurimit të jetës dhe sëmundjeve dhe ofrohet për persona me moshë 18-65 vjeç. Primet e shkruara bruto për këtë klasë ranë me 66 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Ndikim në këtë grup ka pasur dhe ecuria e dobët e kreditimit për individë (bankat u kërkojnë klientëve që kur marrin hua të bëjnë sigurim jete).

Në janar-korrik këto prime ishin 24.8 milionë lekë nga 73.1 milionë lekë që ishin një vit më parë.  Në numër kontratash në 7 mujor ishin 419 kontrata nga 673 kontrata në total.

Referuar të dhënave të AMF në total primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2020, arritën rreth 582 milionë lekë, ose 19.27% më pak se në periudhën janar-korrik  2019./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!