Siguria ushqimore, Peleshi pranon dështimin

schedule19:30 - 24 Tetor, 2017

schedule 19:30 - 24 Tetor, 2017

Produktetet që konsumojmë, shpesh nuk janë të sigurta. Dështimin në këtë sektor e ka pranuar edhe ministri i Bujqësisë Niko Peleshi. Nga Elbasani ai përsëriti apelin se çdo thertore apo dyqan jashtë standardeve do të mbyllet.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, pranon se qeveria ka dështuar për të garantuar produkte të sigurta ushqimore.
Mungesa e standardeve ka bërë që vendi ynë të mos eksportojë produkte shtazore në asnjë vend të botës.
“Duhet ta pranojmë, duke u skuqur, për hir të së vërtetës, se ne kemi dështuar, krahasuar edhe me vendet përreth, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën dhe padyshim me çdo vend të BE-së ku sistemi i sigurisë ushqimore, zinxhiri i kontrollit është i ngritur nga ferma në tavolinë.”
Niko Peleshi inspektoi thertoren e Elbasanit nga ku bëri të ditur se vetëm ditet e fundit në vend janë mbyllur 84 subjekte therje jashtë standardeve dhe 107 dyqane. Ndërkohë, janë sekuestruar rreth 2 mijë e 900 kilogramë mish.
“Pikat e therjes që janë mbyllur, si të pashpresa se mund të arrijnë ndonjëherë standardet, sepse janë vite dritë larg standardeve ligjore nuk do të hapen më. Askush nuk duhet të guxojë t’i hapë ato natën, larg syrit të inspektorëve apo të shtetit”.
Synimi i qeverisë, sipas Peleshit është që brenda gjysmës së parë të ketij mandate, Shqipëria të marrë të drejtën për të eksportuar produkte shtazore në vendet e Bashkimit Europian. Për këtë, fillimisht duhet të ngrejë sistemin e sigurisë ushqimore.

 

https://www.youtube.com/watch?v=r2Mv4bo0C_s

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!