Siguria në plazhe, bllokohen 24 mjete lundruese nga Ksamili në Velipojë

schedule13:02 - 7 Korrik, 2024

schedule 13:02 - 7 Korrik, 2024

Vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore, me qëllim parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve që mund të shkaktohen nga keqpërdorimi i mjeteve lundruese dhe shkeljes së perimetrit të sigurisë në plazhet e vendit.

Në kuadër të operacionit “Siguria në Det”, policia ka bllokuar 24 mjete lundruese, nga Ksamili në Velipojë.

“Nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 24 mjete lundruese.

Mjetet e bllokuara: 15 jet ski, 5 skafë dhe 4 gomone.

17 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë.

4 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin.

3 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.

6 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 000 lekë.

Drejtuesit e 18 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10 000 lekë për mungesë dokumentacioni.

Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 3 raste, duke ndihmuar dhe shpëtuar 4 shtetas që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!