Siguria në finalen e UECL, BBS dhe stjuartët e tjerë trajnime intensive

schedule10:32 - 28 Prill, 2022

schedule 10:32 - 28 Prill, 2022

Finalja e UEFA Conference League është një sfidë e madhe për vendin tonë. Më 25 maj në “Air Albania” do të luhet finalja e parë e këtij kompeticioni, ndërkohë që edhe për të gjithë në vendin tonë një event i këtij niveli është historik.

Organizimi i këtij eventi është një sfidë më vete, sidomos edhe për garantimin e sigurisë. Mendohet se rreth 30 mijë tifozë do të jenë në kryeqytetin tona dhe 21 mijë prej tyre do e ndjekin ndeshjen në stadium. Gjatë kësaj periudhe UEFA e FSHF kanë bërë trajnime.

Siguria është një element i rëndësishëm dhe BBS Security, që e shohim thuajse në të gjitha stadiumet shqiptare, ka një përgjegjësi edhe më të madhe. Nevoja për stjuartë këtë herë ka qenë më e madhe dhe ndryshe nga se ndodh në ndeshjet e kombëtares, këtë herë do ketë një bashkëpunim edhe me Ilyrian Guard.

Këta të fundit kanë kryer edhe një trajnim së bashku me kolegët e tyre të BBS Security, në mënyrë që gjithçka të shkojë më së miri gjatë finales së Conference League. Oficeri i Sigurisë së Finales së UECL, Armando Mandro, ka shpjeguar gjerë e gjatë gjithçka po ndodh për faqen e FSHF.

“Kemi kaluar në një fazë kulmore të përgatitjeve për masat e sigurisë në finalen e UEFA Conference League. Jemi duke zhvilluar në stadiumin Air Albania një trajnim të avancuar dhe praktik me disa nga stjuardët e njërës prej kompanisë të sigurisë fizike. Një kompani e vetme nuk mund t’ia dalë dot e vetme të përballojë finalen.

Kjo ndodh pasi kërkohet një numër më i madh njerëzish dhe për këtë arsye kemi shkrirjen e dy kompanive për të siguruar finalen, që janë BBS Security dhe Ilyrian Guard.  Për momentin ne jemi duke trajnuar stjuardët e rinj në vazhdim edhe të trajnimeve të tjera që janë zhvilluar më para me përgjegjësit e tyre dhe momentalisht po zhvillojnë stërvitje praktike dhe teorike”.

“Ne e kemi nisur me trajnime në muajin shkurt në bashkëpunim me UEFA-n. I pari ka qenë trajnimi për trajnerët, të cilët që nga muaji shkurt e deri më tani kanë vazhduar të trajnojnë efektivët që do të marrin pjesë në këtë finale. Në muajin mars kemi zhvilluar një trajnim të përbashkët me përfaqësuesit e të gjitha agjencive ligjzbatuese dhe agjencive që do të marrin pjesë në këtë finale të madhe për pjesën e sigurisë, siç kishim Policinë e Shtetit, Zjarrfikësit, Shërbimin e Urgjencës Shëndetësore, Kryqin e Kuq dhe aktorë të tjerë të stafit të menaxhimit të stadiumit.

Në muajin prill kemi pasur një trajnim vetëm për Policinë e Shtetit dhe këto trajnim të gjitha synonin një rezultat sa më të mirë për sigurinë në finalen e Conference League-s. Ky është një operacion masiv, shumë i detajuar, për të cilin ne kemi filluar të marrim masa që nga pritja e tifozëve në aeroport, në pikat e grumbullimit të tifozëve, në rrugëkalimet e tifozëve për në stadium, në pikat e hyrjes, në futjen në stadium dhe deri në vendosjen e tyre në vendet e duhura.

Brenda pak ditësh do të mësojmë edhe dy skuadrat finaliste dhe kemi përcaktuar, ndërkohë edhe vendosjen e tifozerive në stadium dhe rrugën që do të ndjekin deri në stadium. Jemi duke koordinuar shumë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe me shërbimet e tjera. Momentalisht jemi në proces akreditimi të shërbimeve që do të marrin pjesë, shpresojmë që të kemi një finale të madhe dhe me masa sigurie sa më të mira”, tha Mandro. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!