Kulinaria tradicionale është një nga elementët më të rëndësishëm dhe njëherazi pjesë e pandarë që ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin e turizmit, por dhe promovimin e gatimeve tradicionale në qytetin e gurtë. Dëfrim Gjeço është një prej mjeshtrave të kuzhinës që prej 35 vitesh ofron për qytetarët, por edhe turistëve të huaj recetat e anëve gjirokastrite. Ai thotë se gatimet tradicionale si qifqite, apo byrekët e ndryshëm janë më të preferuarat nga turistët e huaj.
I vlerësuar maksimalisht nga klientët e tij, Defrimi na tregon se nuk mungojnë rastet kur mjaft turistë të huaj jo vetëm i kërkojnë recetat, por madje shprehin dëshirën që të mësojnë dhe gatuajnë së bashku me të.
Prej 25 vitesh, ai punon në biznesin e tij familjar, një ambjent modest që ndodhet në zemër të pazarit karakteristik, ndërsa para viteve 90 ishte pjesë e stafit të përzgjedhur pranë Hotel Turizmit, i vetmi vend që mirëpriste turistët e huaj.
E ndërsa turistët e huaj shprehin dëshirën për të mësuar si përgatiten gatimet tradicionale, krejt e kundërta mund të thuhet për të rinjtë vendas.
Pasioni dhe dashuria ndaj këtij profesioni është vleresuar nga mjaft institucione ku falë punës, përkushtimit dhe sigurisht përgjegjësisë për atë çfarë ofron te konsumatorët, Dëfrimi ka fituar një sërë certifikatash të ndryshme./abcnews.al