Si u vra Qemal Stafa? Studiuesi nxjerr dokumentin zyrtar: U hodhën tre bomba

schedule18:26 - 5 Maj, 2021

schedule 18:26 - 5 Maj, 2021

Sot është 5 Maji dhe shqiptarët kujtojnë me nderim dhe përulje dëshmorët e atdheut që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Një nga simbolet e Ditës së Dëshmorëve të Atdheut është padyshim Qemal Stafa. Por si u vra ai? Studiuesi Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivës në Ministrinë e Brendshme ka publikuar dokumentin zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës në 1942 në Tiranë.

1942/Dokumenti zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës

Sipas njoftimit të Mëkëmbësisë të datës 16.3.1942, Qemal Stafa dhe Drita Kosturi ishin kallëzuar penalisht më 15.11.1941 në Gjykatën e Posaçme në Romë për veprimtari komuniste, por me vendimin e datës 22.1.1942 ishin liruar nga akuzat për mungesë provash. Ndërsa njoftimi kryesor mbi vrasjen e Qemal Stafës është i Kuesturës së Tiranës.

***

Tiranë, më 5 maj 1942

Rreth orës 14.00 të datës së sotme, gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që ndodhet në rrugën “Lumi”, në afërsi të kolegjit muhamedan (medrese), e mbajtur me qira prej Beqir Vanit (Beqir Minxhozi-shënim), i arrestuar sot në mëngjes për hetime të policisë, agjentët hasën në qëndresë nga ana e disa personave, të cilët ishin duke u orvatur të iknin për t’i shpëtuar arrestimit.

Janë hedhur tre bomba dore kundër agjentëve, të gjitha shpërthyese, po pa pasojë dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri, gjithashtu pa pasoja.

Agjentët kanë nisur përgjigjen me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan, më 10.9.1921, ish student. Janë arrestuar:

1-Drita Kosturi, e Aliut dhe e të ndjerës Nafije, lindur në Lezhë më 12.7.1920, ish studente.

3-Gjustina Sata, bashkëshorte e Zef Ndojës, në lidhje me shënimin nr.2699, të datës 4 të këtij muaji.

4-Marie Lezhja, e Franos dhe Angjelisë, vjeç 19 nga Tirana, të kapura befas në shtëpinë e përmendur duke tentuar të ikin me Qemal Stafën dhe një tjetër person të ikur të panjohur, të paidentifikuar (Kristo Themelko-shënim).

I vdekuri ndodhet i ruajtur në vendin e ngjarjes në pritje të shikimit në vend nga autoritetet përkatëse.

Kuestori Pandeli Papalilo

 

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!