Si u njoh vëllai i trafikantit me burrin e gjyqtares, roli i avokatit dhe ndërmjetësimi i pronarit të hotelit ku u takuan

schedule17:25 - 9 Shtator, 2020

schedule 17:25 - 9 Shtator, 2020

Arben Cara është burri i gjyqtares Mimoza Margjeka, një nga tre personat e arrestuar për rastin e korrupsionit që SPAK zbuloi.  Arben Cara është përgjegjës i departamentit të fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Ai akuzohet për korrupsion pasiv.

Por si funksionoi skema e korrupsionit?

Nejton Bali banues në Sauk, që ishte vëllai i të arrestuarit Orion Bali, të cilin po tentonte që ta nxirrte nga burgu pas akuzave për trafik emigrantësh, së bashku me avokatin Skënder Demiraj dhe Klaudjo Zhillën nga Korça takuan dhe i dhanë shumën prej 6 mijë eurosh burrit të gjyqtares.

Hoteli ku i dhanë shumën burrit të gjyqtares është në pronësi të Klaudjo Zhillës. Pasi mori shumën prej 6 mijë euro gjyqtarja e ndryshoi vendimin për Orion Balin duke e nxjerrë nga qelia kundrejt garancisë pasurore 500.000 lekë.

Por si u arrit te ndërmjetësimi?

Policia thotë se te burri i gjyqtares, vëllai i të arrestuarit arriti përmes avokatit Skënder Demiraj, i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë.

Ndërsa pronari i hotelit, Klaudjo Zhilla, po sipas policisë mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove, duke i premtuar se bashkëshortja do të bënte ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në garanci pasurore, masë e cila ishte vendosur nga Gjykata e Apelit.

Mimoza Margjeka gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës dhe e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë tani do të përballet me akuzën për korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë.db/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!