“Si u nis dhe u bitis”, dosja e famshme e Bllokut, Artan Hoxha: U mjegullua, kush e vrau Gaxhën?

schedule20:28 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 20:28 - 21 Dhjetor, 2020

Pas dy vitesh nga ngjarja e 4 tetorit në ish-Bllok, prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe pushoi akuzën e vrasjes për Merviol Bilon. Sipas organit të akuzës ish-komandoja i forcave të armatosura ka vepruar në kushtet e mbrojtjes ekstreme, pasi Fabiol Gaxha ka qëlluar i pari. Bilo akuzohet vetëm për plagosjen e Eljon Hatos. Por cfarë mendon Artan Hoxha për këtë dosje të bujshme që përfundoi me këtë konkluzion nga prokuroria e Tiranës, a ishte i pritshëm? “Sigurisht që e kam ndjekur, shikoj që nga momenti që organi i akuzës filloi hetimin deri sot ka ndryshuar shumë gjëra” tha ai.

Por cfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe? “Kemi diferencim të disa personazheve të përfshirë në dosje. Për dy prej tyre është veçuar procedimi, përfshirë edhe Ervis Martinajn. Eshtë interesant fakti që ka ndryshuar kualifikimi i veprës penale për Bilon, por kush e ka vrarë Fabiol Gaxhën, me çfarë arme ka gjetur vdekjen? Dakord Hato është plagosur, apo dyshohet nga Bilo, po kush e ka vrarë, në çrrethana, cila është dinamika për Gaxhën? Jam kurioz ta shoh si organi i akuzës do ta provojë. 

Është nga ato raste që në pamje të parë të krijojnë përshtypje që u nis e madhe por na del me një të vrarë që nuk e dimë si është vrarë. Bilo si ushtarak me eksperiencë mund të ketë qenë në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi aty ka pasur një konfrontim fizik. Bilo ka qenë në një sulm fizik, kur ka bërë qitjen dyshohet se ka qenë i shtrirë. Sa herë ka qëlluar Bilo? Ka qëlluar njeri tjetër? Ku kanë shtuar predhat e armës? Dhe kush janë plagosur? Aty kemi pasur dy të plagosur dhe një të vdekur. Kjo është një skemë krimi që në vend që të zbardhej është mjegulluar” tha Artan Hoxha.

Por cfarë ndodhi me dosjen?

Ish-komandoja i forcave të armatosura Merviol Bilo,  i akuzuar për masakrën e 4 tetorit të 2018 në ish-Bllok, lirohet nga akuza e vrasjes. Prokuroria e Tiranës pas dy vitesh, ka mbyllur hetimet dhe e ka marrë Bilon të pandehur për akuzën plagosje e rëndë në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, pasi gjatë përleshjes ai plagosi Eljon Haton, mikun e Ervis Martinajt.

Ndërsa për vrasjen e Fabiol Gaxhës, askush nuk do të mbajë përgjegjësi. Prokuroria në dosjen e dorëzuar në gjykatë ka vendosur që të pushojë akuzën e vrasjes për ish-komandon me argumentin, që Merviol Bilo e ka shkrepur armën në kushtet e mbrojtjes ekstreme. E për pasojë sipas prokurorisë i ndodhur në këto kushte ish-komandoja që vazhdon të jetë në arrati nuk mund të përgjegjësi, penale.

Organi i akuzës ka arritur në këtë konkluzion pasi ka provuar nëpërmjet pamjeve filmike se Fabian Gaxha ka qëlluar i pari në drejtin të ish-komandos, e për pasojë ky i fundit ka gjuajtur për të mbrojtur veten. Gjatë mbrëmjes së 4 tetorit  u përleshën dy grupe, ai i biznesmenit të lojërave të fatit Ervis Martinaj me grupin e Ervin Matës.

Prokuroria ka ngritur akuzën “moskallëzim krimi” për personat e tjerë të përshirë në këtë ngjarje, si Redi Popeskun, pronari i lokalit ku ndodhi përplasja mes grupeve, Geldi Hoti Licajn,  Ervin Matën, Ajax Boshnjakun dhe Fabio Allushin. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishin grupet mes tyre.

Në këtë ngjarje u plagos edhe Ervis Martinaj i cili së bashku me mikun e tij Hato ndodhën në proces gjyqësor, pasi cështja e tyre është e ndarë nga e grupit tjetër, të drejtuar nga Ervin Mata. Biznesmeni i lojërave të fatit akuzohet për 4 vepra penale, “krijim i kushteve për të kryer vrasje”, “fshehje e të ardhurave” “falsifikim pasaportash” dhe “organizim i palejuar i lojërave të fatit”. Ndërsa Eljo Hato akuzohet vetëm për “krijim kushtesh për të kryer vrasje”.

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!