Si u largua Panuçi nga Shqipëria?

schedule16:30 - 23 Mars, 2019

schedule 16:30 - 23 Mars, 2019

Largimi i Kristian Panuçit nga stoli i Shqipërisë mund të quhet një ikje e paralajmëruar. Presidenti Duka kërkoi informacion për fjalët e trajnerit në konferencën për shtyp, përpara se të merrte vendimin.

Ishte ora 09.00 e mëngjesit të kësaj të shtune, kur Armand Duka vendosi të tregonte vendimin e tij. Një telefonatë e presidentit në Federatë njoftoi se Kristian Panuçi nuk do të jetë më trajner i kombëtares shqiptare.

Kishin kaluar vetëm 10 orë nga disfata e hidhur me Turqinë dhe Dukës i ishte mundur mendja plotësisht se nuk mund të vazhdohej me italianin. Ai u mendua në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku qëndroi deri në orën 01:30 të natës, në shoqëri të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Shulku.

Në impiantin shkodran, ai dha edhe porosinë që t’i përgatitej një përmbledhje e fjalëve të Panuçit në konferencën për shtyp pas Turqisë. Padyshim, që mësoi se trajneri lëshoi shprehjen e rëndë për shqiptarët si “popull cirku”.

Kjo duket, ishte pika që derdhi gotën. Edhe në të kaluarën, Panuçi kishte lëshuar shprehje të shumta “me spec”, si ndaj lojtarëve, ashtu edhe ndaj paraardhësit të tij, Xhani De Biazi.

Gjithsesi, pyetja më normale mbetet, përse Duka nuk e shkarkoi trajnerin pas katastrofës me Skocinë?

Ndoshta, kishte ende besim se ai mund ta ndryshonte situatën, nëse nuk do të kishte dëmtime, ose ndoshta sepse nuk mundi të gjente në atë kohë një alternativë të besueshme. ABC News njoftoi nëntorin e kaluar, se presidenti kishte pasur kontakte me trajnerë italianë e kroatë, po ashtu se një trajner shqiptar mund të kishte qenë zgjidhje e përkohshme.

Federata doli me përgënjeshtrim në atë kohë, ndërsa tani pritet emri i trajnerit të ri.Vetë Duka, i pyetur në linjë telefonike, nëse tekniku i ardhshëm do të jetë i huaj apo shqiptar, u përgjigj shkurt: Do të jetë trajner!

Prania e teknikut italian, Edoardo Reja, në stadium, nuk mund të ishte një tregues, pasi ai ishte në rolin e vëzhguesit të lojtarëve, jo kandidaturë për stolin kuqezi.

Sa për Panuçin, ai mbylli ndoshta etapën më të vështirë të karrierës së tij në futboll, si lojtar apo në stol. I ardhur me shpresa të mëdha për të vazhduar aty ku e la De Biazi, nuk mundi të kishte rezultatet me vete.

Në 2018 e 2019, pësoi 7 humbje e arriti dy fitore në 9 ndeshje, me golaverazhin 3 gola të shënuar e 18 të pësuar. Rezultatet duket se ishin thjesht tregues i asaj që ndodhte në skuadër, pasi burime pranë kombëtares tregojnë për nerva dhe ofendime të lojtarëve nga ana e trajnerit, diçka që mund të ketë prishur përfundimisht harmoninë në ekip.

De Biazi u largua i ngritur në qiell nga Federata, qeveria shqiptare, por edhe Ambasada e Italisë në Tiranë. Panuçi, në të kundërt, iku me nerva të shkatërruara duke u grindur me gazetarët në korridorin e “Loro Boriçit”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!