Nga Jennifer Nuzzo, Foreign Affairs
Sipas fjalëve të Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtorit të përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), pandemia e Covid-19 “është një krizë shëndetësore që ndodh një herë në një shekull”.
Në fakt, emergjenca e fundit e shëndetit publik, që shkaktoi dëme të tilla si ato që po shohim sot,ishte pandemia e madhe e gripit që filloi në vitin 1918, e cila sëmuri rreth një të tretën e popullsisë së botës, dhe vrau të paktën 50 milion njerëz.
Por për shkak se kushtet globale po bëhen gjithnjë e më mikpritëse ndaj përhapjes virale, pandemia aktuale nuk ka gjasa të jetë e fundit me të cilën do të përballet bota gjatë këtij shekulli. Dhe mund të mos jetë as më e keqja. Koronavirusi i ri goditi një botë që ishte e papërgatitur për të.
Në mungesë të kapaciteteve për t`a ndalur përhapjen e virusit përmes masave të synuara -pra testimit dhe gjurmimit – vendeve nuk u mbetën shumë opsione në dispozicion, ndaj mbyllën ekonomitë e tyre, dhe i urdhëruan njerëzit të qëndrojnë në shtëpi. Këto politika funksionuan shumë mirë për të ngadalësuar shtimin e rasteve të reja deri në fund të pranverës.
Por gjatë verës dhe në vjeshtë, qeveritë u përballën me presionin për t’i lehtësuar këto kufizime, ndaj rastet u rritën sërish. Më 4 nëntor, u raportuan më shumë se 685.000 raste të reja në të gjithë botën, rekord më i madh që nga nisja e pandemisë. Deri në atë moment, më shumë se 48 milion njerëz ishin infektuar me Covid-19, dhe më shumë se 1.2 milion kishin vdekur.
Efektet ekonomike dhe sociale të kësaj pandemisë do të zgjasin për dekada me radhë. Produktiviteti në të gjithë botën pritet të bjerë me 5 për qind këtë vit. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë pësuar një humbje prej rreth 16 trilionë dollarësh nga produktiviteti i humbur, vdekjet e parakohshme dhe sëmundjet.
Më shumë se 1 miliard fëmijë në të gjithë botën e kanë ndërprerë shkollimin. Banka Botërore ka paralajmëruar se si rezultat i pandemisë,rreth 150 milion njerëz të tjerë do të bien sërish në pragun e varfërisë ekstreme. Këto shifra marramendëse, nxjerrin në pah paaftësinë e sistemeve globale për t’u mbrojtur nga pandemitë.
Arkitektura e sotme e shëndetit publik është ndërtuar për t’i bërë ballë epidemive, por pandemitë kërkojnë një qasje tjetër. Në rastin e parë, përhapja e sëmundjes është e kufizuar gjeografikisht, prandaj vendet e paprekura, të paktën në teori, mund të ndihmojnë vendet e prekura.
Ndërkohë, në një pandemi kur të gjithë goditen në të njëjtën kohë, do të thotë se ka kërkesa shumë më të mëdha për burimet e kufizuara të OBSH-së, Bankës Botërore dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Kjo do të thotë që për të ndalur përhapjen e virusit, vendet duhet të mbështeten kryesisht tek vetja.
SHBA dhe vendet e tjera, janë fokusuar me të drejtë në daljen nga kriza aktuale, por ato duhet të parashikojnë dhe përgatitjen për t’i bërë ballë pandemisë së radhës. Dhe kjo gjë, kërkon një ndryshim thelbësor të mënyrës se si vendet mendojnë për sigurinë shëndetësore globale.
Ato duhet t’i japin OBSH-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare burimet dhe mandatin e duhur për të identifikuar kërcënimet në zhvillim, dhe për t’i nxitur vendet të zhvillojnë kapacitetet për t’i mbajtur ato nën kontroll. Gjithashtu, ato duhet të arrijnë marrëveshje për të ndarë të dhënat, dhe për të kryer studime dhe testime të përbashkëta, në mënyrë që të mundësojnë një përgjigje vërtet globale ndaj një pandemie.
Përndryshe, reagimi i botës do të dëshmohet sërish të jetë shumë i dobët dhe shumë i vonuar në kohë. Shfaqja e Covid-19 nuk duhej të ishte befasuese. Viruset e frymëmarrjes, përfshirë koronavirusin e ri që ka shkaktuar pandeminë, janë shpesh të përshtatshme për transmetimin e përhapur.
Ato kanë prirjen të kenë periudha të shkurtra midis ekspozimit dhe transmetimit tek të tjetër, gjë që i lë shumë pak kohë ndërhyrjes. Si për t’i bërë gjërat edhe më keq, ato shkaktojnë shpesh simptoma që u ngjajnë atyre të sëmundjeve të tjera, më të zakonshme – dhe nganjëherë nuk shkaktojnë fare simptoma – duke krijuar shumë vështirësi në identifikimin se kush është i infektuar dhe kush jo.
Pastaj është çështja e vdekshmërisë. Viruset e frymëmarrjes, kanë potencialin e dëshmuar tashmë të shkaktimit të sëmundjeve serioze dhe vdekjeve në një përqindje të lartë të rasteve. Koronavirusi që shkaktoi epideminë e SARS në vitin 2003, vlerësohet të ketë vrarë 10 për qind të njerëzve që u prekën prej tij, ndërsa MERS ka vrarë që nga viti 2012 rreth 35 për qind të të sëmurëve.
Që të dy janë viruse të frymëmarrjes. Sapo shfaqet një patogjen i tillë dhe fillon të përhapet në nivel lokal, nëse nuk frenohet shpejt, ai mund të përhapet lehtësisht në mbarë globin. Diçka e tillë është sot shumë më e lehtë, në epokën e udhëtimeve të shumta ndërkombëtare, zhvendosjes masive, emigrimit dhe urbanizimit.
Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR), janë një grup udhëzimesh të miratuara për herë të parë nga OBSH në 1969, dhe të forcuara pas epidemisë së SARS-it në vitin 2003. IHR kërkon që qeveritë të zhvillojnë kapacitetin për të reaguar në kohë ndaj shpërthimeve epidemike,që kanë potencialin për t’u përhapur gjerësisht.
Padyshim, forca më e madhe e IHR qëndron në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Nëse qeveritë kombëtare mund të zbulojnë dhe njoftojnë shpejt OBSH për shpërthime të mëdha epidemike, atëherë pjesa tjetër e botës ka një shans për të parandaluar përhapjen e tyre.
Mjerisht, shumë vende kanë dështuar të përmbushin detyrimet e tyre sipas IHR. Deri në vitin 2012, më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të OBSH-së, kishin raportuar një pajtueshmëri të plotë me këtë rregullore. Dhe siç u bë mëse e qartë gjatë epidemisë së Ebolas në Afrikën Perëndimore që nisi në vitin 2013, mungesa e progresit është vdekjeprurëse.
Edhe për sjelljen e OBSH ka shumë rezerva. Qasja e saj u kritikua shumë kur Covid-19 nisi të përhapej në qytetin kinez të Vuhanit në dhjetorin e vitit 2019. Në takimet e bordit drejtues më 22-23 Janar, organizata refuzoi të shpallë emergjencën globale, duke pretenduar se kishte të dhëna të pamjaftueshme nga Kina.
Vonesa me një javë mund të mos ketë rëndësi të madhe sa i përket përhapjes së virusit, por sugjeroi diçka shqetësuese:që OBSH po e lejonte Pekinin të ndikonte atë që supozohej të ishte një proces i pavarur, i drejtuar nga shkenca.
Mangësitë e nxjerra në pah nga Covid-19, kanë çuar në thirrje të reja për forcimin e IHR.
Sado sfidues që ka qenë për botën Covid-19, në horizont ka skenarë edhe më të këqinj. Mund të dalë një patogjen i ri që mund të jetë më i rëndë sesa sëmundjet e njohura, dhe që të jetë rezistent ndaj metodave tradicionale të diagnozës dhe trajtimit.
Një test i thjeshtë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt të këtij viti 2020, tregoi se sa e papërgatitur është bota për një skenar të tillë. Duke bashkëpunuar me sektorin privat dhe organizata filantropike, qeveritë duhet të vendosin norma dhe masa sigurie për të mbrojtur kërkimet shkencore, dhe të hartojnë plane se si të reagojnë nëse dështojnë të ndalin përhapjen. Synimi duhet të jetë të dekurajojmë qeveritë ose njerëzit me qëllim të keq që të shkaktojnë një katastrofë. Sigurisht, siç e ka treguar Covid-19, katastrofat nuk kërkojnë keqdashje. Mjafton edhe vetëm mungesa e përgatitjes. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al