Parandalimi i kancerit të gjirit fillon me adaptimin e një stili jetese të shëndetshme.
Ekzistojnë faktorë rreziku si rastet me, histori familjare me kancer gjiri, që konsiderohet si faktor rreziku që nuk varet nga ne dhe si i tillë nuk mund të bëjmë asgjë për të ndryshuar këtë fakt.
Ndërkohë kemi faktorë të tjerë rreziku të cilët lidhen me stilin e jetesës të gjithësecilit nga ne të cilët nëse modifikohen ulet ndjeshëm rreziku për t’u prekur nga kanceri i gjirit.
Më poshtë po ju listojmë disa nga masat parandaluese që gjithësecila prej jush duhet t’i ketë parasysh.
Sa më shumë alkool të konsumoni aq më i madh do të jetë edhe rreziku për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Ajo ç’ka mjekët specialistë rekomandojnë, është të limitohet konsumi i alkoolit në jo më shumë se 1 gotë në ditë.
Statistikat e akumuluara në kohë paraqesin një lidhje të drejtpërdrejtë midis duhanit dhe kancerit të gjirit, sidomos te gratë në pre-menopauzë. Prandaj mos pirja e duhanit është dhurata më e mirë që mund t’i bëni shëndetit tuaj.
Të qenit mbi peshë ose obezë, rrit rrezikun për kancer gjiri dhe ky probabilitet është akoma më i lartë sidomos nëse prekeni nga obeziteti në periudhën pas menopauzës.
Aktiviteti fizik ndihmon në mbajtjen e një peshe të shëndetshme e cila nga ana tjetër ndihmon në parandalimin e kancerit të gjirit. Për tu rritur sa më të shëndetshëm, mjekët specialistë rekomandojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik të moderuar në javë.
Gjidhënia luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e kancerit të gjirit. Pra, sa më shumë të zgjasë periudha e gjidhënies aq me shumë rritet edhe efekti mbrojtës ndaj kësaj sëmudje.
Hormono-terapia e marrë për një periudhë nga 3 – 5 vjet rrit shanset e rrezikut për kancer gjiri. Nëse jeni duke marrë hormono-terapi për të dominuar simptomat e menopauzës duhet të konsultoheni me mjekun tuaj sepse ekzistojnë edhe metoda alternative trajtimi për këto probleme.
Evitoni sa më shumë të jetë e mundur ekspozimin ndaj rrezeve radioaktive dhe ndotjes ambjentale
Ekzaminimet imazherike mjekësore të tilla si skaneri, përdorin doza të larta rrezatimi dhe disa studime të kryera paraqesin një lidhje që mund të ekzistojë midis ekspozimit ndaj këtij lloj rrezatimi dhe kancerit të gjirit. Prandaj rekomandohet kryerja e ekzaminimeve të tilla imazherike vetëm në rastet kur është absolutisht e nevojshme dhe e rekomanduar nga mjeku specialist./abcnews.al