Si ta bëjmë më pak radikale botën islame

schedule16:21 - 16 Janar, 2021

schedule 16:21 - 16 Janar, 2021

Nga Yahya Cholil Staquf “The Wall Street Journal”

Gati një gjeneratë pas sulmeve të11 shtatorit 2001 në SHBA, bota ka shënuar pak progres në çlirimin e saj nga kërcënimi i islamit radikal. Për çdo Osama bin Laden ose Abu Bakr al-Bagdadi që eleminon SHBA-ja, shfaqen 100 radikalë të tjerë.

Një dhunë e tmerrshme ka përfshirë pjesën më të madhe të botës islamike, nga Azia Qendrore në Lindjen e Mesme dhe deri në Afrikë. Ajo ka shpërthyer gjithashtu në mënyrë periodike në rrugët e Londrës, Parisit dhe Nju Jorkut.

Që nga viti 2019, agjencia e brendshme e inteligjencës britanike, kishte në listët vëzhgimit mbi 35.000 të dyshuar si terroristë islamikë, të cilët besohet se përbëjnë një kërcënim për Mbretërinë e Bashkuar.

Por pse bota e sotme është kaq shumë e kërcënuar nga ekstremizmi islamik? Pse Al Kaeda, Boko Haram dhe Shteti Islamik shfaqin një egërsi të tillë? Siç e thashë kohët e fundit gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, doktrina, qëllimet dhe strategjia e këtyre ekstremistëve, mund të gjurmohen tek parime specifike të Islamit të praktikuara historikisht.

Disa pjesë të ligjit klasik islamik përcaktojnë epërsinë islame, inkurajojnë armiqësinë ndaj

jo-myslimanëve, dhe kërkojnë krijimin e një Shteti Islamik ose Kalifati. ISIS nuk është një devijim nga historia. Deri në shfuqizimin zyrtar të Kalifatit Osman në vitin 1924, pjesa më e

madhe e Lindjes së Mesme qeverisej sipas ligjit klasik islamik, Fikhut, që shpesh ndërlidhet me Sheriatin.

Supozimet operacionale të atij Kalifati, dhe korpusi klasik i jurisprudencës islame mbi të cilën qeverisej ai,kanë mbetur thellësisht të ngulitura në shoqëritë myslimane. Edhe kur nuk janë përfshirë në ligjet tradicionale, parimet klasike kanë një autoritet të madh fetar dhe

një legjitimitet të madh shoqëror, duke formësuar mendësinë mbizotëruese të myslimanëve.

Ortodoksia klasike islamike përcakton vdekjen si një ndëshkim për braktisjen e fesë, dhe i bën të drejtat e jomyslimanëve të varen nga vullneti i sovranit mysliman, duke ofruar pak mbrojtje për jo-besimtarët jashtë këtij kuadri tepër diskriminues.

Miliona myslimanë të devotshëm, përfshirë shumë në vendet jomyslimane, e konsiderojnë zbatimin e plotë të këtyre parimeve si thelbësore për besimin e tyre. Por problemi është se këto parime, të cilat përbëjnë thelbin e ideologjisë islamike, janë të papajtueshme me bashkëjetesën paqësore në një botë të globalizuar, pluraliste.

Por ne nuk mund ta“bombardojmë” dhe zhdukim një ideologji. Gati 1 në 4 njerëz në botë janë  myslimanë , dhe shumë myslimanë – përfshirë edhe mua – janë të përgatitur të vdesin për besimin e tyre. Bota nuk do t`a dëbojë Islamin, por ajo mund dhe duhet të dëbojë plagën e ekstremizmit islamik.

Kjo do të kërkojë bashkëpunimin e myslimanëve dhe jo-myslimanëve mes tyre, duke u mbështetur tek aspekte paqësore të mësimit islam, për të inkurajuar respektimin e pluralizmit fetar dhe dinjitetin themelor të çdo qenie njerëzore.

Mënyra më e qëndrueshme për të adresuar një ideologji fetare ekstremiste, është të ri-kontekstualizohen mësimet e saj dhe ajo të  reformohet nga brenda. Katër shekuj më parë, katolikët dhe protestantët vrisnin vazhdimisht njëri-tjetrin; tani ata bashkëjetojnë midis tyre. Unë besoj brenda një ose 2 brezash se i njëjti ndryshim mund të ndodhë edhe brenda Islamit.

Ajo që nevojitet është një alternativë e besueshme, që të jetë në përputhje me ortodoksinë islamike,por që zhvillohet dhe shpallet nga ata që kanë autoritet fetar dhe politik në botën myslimane. Nahdlatul Ulama i Indonezisë, organizata më e madhe e pavarur myslimane në botë, ku unë shërbej si sekretar i përgjithshëm, po e promovon një alternativë të tillë.

Të pozicionuar në mënyrë të vendosur brenda traditave shpirtërore, intelektuale dhe ligjore

të Islamit Ortodoks Sunit, ne e pranojmë se shumica e Fikhut, nuk përbën thelbin e pandryshueshëm shpirtëror të fesë, të njohur si Thawabit, por më tepër shprehjet e saj historikisht të kushtëzuara, ose Mutaghayyirat. Këto shprehje të fundit të Islamit mund të ndryshohen.

Myslimanë të panumërt indonezianë, e kanë marrë përsipër detyrën e reformimit të islamit gjatë dekadat e fundit. Duke filluar që nga vitet 1980, trashëgimtarët e shquar të kësaj tradite e bënë Nahdlatul Ulama të sanksiononte zyrtarisht Ixhtihadin kolektiv:zbatimin e arsyes së pavarur për të ripërtërirë elementet kohore të Fikhut, dhe për të garantuar që

mësimi dhe praktika islamike, të mishërojë dashurinë dhe dhembshurinë universale,

mesazhin kryesor të Islamit.

Këto përpjekje kanë dhënë frytet e veta, dhe në vitin 2019 Konferenca Kombëtare e Studiuesve Fetarë Nahdlatul Ulama miratoi Manifestin Nusantara – një kornizë teologjike

për rinovimin e ortodoksisë islame -teksa shfuqizoi kategorinë ligjore mbi “të pafetë” brenda ligjit islamik, në mënyrë që jo-myslimanët të mund të gëzojnë barazi të plotë si bashkëqytetarë, në vend se të vazhdojnë të përballen me diskriminimin sistematik.

Synimi ynë nuk është t`a ribëjmë botën islame sipas imazhit tonë. Përkundrazi, ne kërkojmë të krijojmë një version të besueshëm të Islamit Ortodoks drejt të cilit – me inkurajimin e duhur global – mund të zgjedhin të lëvizin shoqëritë e tjera myslimane. Nëse kjo do të ndodhë, një brez nga tani bota islamike mund të jetë më pak radikale dhe e dhunshme.

Ri-kontekstualizimi i ortodoksisë islame është thelbësor për mirëqenien e myslimanëve dhe jo-myslimanëve. Ai është një parakusht për çdo zgjidhje racionale dhe njerëzore të krizës shumë dimensionale, që e ka pllakosur botën myslimane për më shumë se një shekull. Udhëheqësit në mbarë botën, mund të kontribuojnë më së miri duke shqyrtuar të kuptuarit e Islamit që lulëzon në Indonezi, dhe duke i nxitur kombet e tjera myslimane të marrin parasysh ndjekjen e një rrugë të ngjashme.

 

Shënim:Yahya Cholil Staquf, është Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Suprem Nahdlatul Ulama, dhe bashkëthemelues i Islamit Humanitar. /Nga Alket Goce për abcnews.al