Trysnia politike mbi historiografinë, me koston e deformimit të kujtesës së popullit shqiptar, vijoi të ndihej edhe pas rënies së diktaturës. Beteja e studiuesve nuk ka qenë vetëm kundër kohës, por edhe ndaj teksteve “folkloristike” e neglizhencës së strukturave shtetërore, që kanë lënë në shumicën e rasteve të pambuluara financimet për punën kërkimore të historianëve. Historia shqiptare, ngjarje e personazhe me peshë të saj, janë shoqëruar vazhdimisht me debate. Teza e interpretime kontradiktore për të cilat opinioni publik, shqiptar dhe i huaj, do t’i duhej një pikë serioze, si referencë. E kur më pak pritej, për shkak të emergjencave pandemike, zgjidhja e ofruar për një vepër serioze të historisë, nuk erdhi si konkluzion i diskutimeve të hapura mes studiuesve, por si një vendim i beftë qeverie. Në vendimin nr.18 të 20 Janarit, Këshilli i Ministrave vendosi për financimin me fond publike të 3 veprave madhore albanologjike dhe enciklopedike. Për 100 milionë lekë, të cilat u kaluan si fond shtesë në buxhetin e Akademisë së Shkencave për vitin 2021, 3 porositë e mëdha ishin; 10 vëllime për një Enciklopedinë Shqiptare (46,3 milionë lekë), një Fjalor i madh i shqipes (30.6 milionë lekë) dhe 2 vëllime të Historisë së Shqiptarëve (23.1 milionë lekë).
Ndryshimin e VKM-së, lidhur me rishpërndarjen e këtij fondi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e shpjegon si më poshtë për “VETTING”:
“Ndryshimi i VKM-së ka qenë për qëllim korrigjimin e ndarjes nga 100 milionë lekë shpenzime korrente në 96 milionë lekë shpenzime korente dhe 4 milionë lekë shpenzime kapitale. Pra nga ana e Akademisë së Shkencave është kërkuar që një pjesë e fondeve të akorduara të përdoret për blerjen e 20 kompjuterëve, 3 fotokopje kombinat, 10 skaner dhe printer si dhe 12 tavolina e poltronë pune. Në mënyrë që të kenë mundësinë ti përdorin edhe në projekte të tjera këto pajisje, nuk do të merret me qira sikurse është vlerësuar në vendimit baze përcjellë nga ana e Akademisë së Shkencave fillimisht, por do të blihen duke evituar kështu shpenzime të tjera në të ardhmen të kësaj natyre.
Ndarja përfundimtare e fondeve është Art.602 – 96 milionë lekë dhe Art.231 – 4 milionë lekë.
Për sa i përket planifikimit të fondeve për vitet 2022 dhe 2023, përmbushja e nevojave do të jenë pjesë e përgatitjes së PBA-së për vitet në vijim dhe ende nuk ka vlera konkrete”.
Diskutimet që nisën të gëlojnë fill pas këtij vendimi, për integritetin e procesit ku iniciator ishte qeveria, nuk e ndalën konkretizimin e projektit. Në 4 maj, Akademia e Shkencave dhe Qendra e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike nënshkruan kontratat që konfirmonin fillimin e punës. Drejtuesit e tekstit “Historia e shqiptarëve” do të ishin akademikët Pëllumb Xhufi e Neritan Ceka, ndërsa grupi i punës, përfshinte disa nga studiuesit më të afirmuar shqiptarë brenda e jashtë vendit, por jo historianë të huaj. Kjo, siç shpjegon historiani Paskal Milo, ndodh pasi historia kombëtare e shqiptarëve duhet të shkruhet nga shqiptarët.
“Të huajt asnjëherë edhe askush nuk i ka penguar që të shkruajnë për historinë tonë. Kanë shkruar edhe do të shkruajnë. Kjo është një vepër e marrë përsipër nga Akademia e Shkencave, në radhë të parë nuk mund të shkruhet më mirë nga të tjerët, se sa nga vet shqiptarët. I kemi parë edhe veprat e të tjerëve që kanë një numër mangësish në shfrytëzimin e burimit të veprave shqiptare. Pasi nëse nuk shfrytëzohen arkivat e vendit për të cilin shkruhet, s’mund të pretendojnë për një histori objektive qëtë jetë sa më afër realitetit”, shpjegon historiani për emisionin.
Pavarësisht se buxheti i’u akordua Akademisë, shumica e historianëve janë pjesë e instituteve albanologjike, përkatësisht Institutit të Historisë dhe atij të Arkeologjisë. Në një kohë që periudha 3-vjeçare e rishkrimit të historisë deri në finalizimin e saj në vitin 2023, duket relativisht e limituar për risi të shumta, historianët shpjegonë, se çdo të sjellë ndryshe nga botimet e deritanishme ky tekst dhe nëse do të kemi shfrytëzim të mëtejshëm të burimeve arkivore. Po ashtu, kundrejt pakënaqësisë së studiuesve të tjerë për faktin se ky projekt nuk ishte gjithpërfshirës, historiani Paskal Milo shpjegon për emisionin se përse emrat e përzgjedhur janë të duhurit për rishkrimin e historisë sonë./Abcnews.al