Si po i shmangen qindra mijëra rusë mobilizimit ushtarak që shpalli Putin

schedule13:04 - 28 Shtator, 2022

schedule 13:04 - 28 Shtator, 2022

Nga Gabriel Gavin ”The Spectator

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Jerevan, Armeni – Kur mbërrita në aeroport ishte duke u errur. E megjithatë pritej ende ulja e mbi 12 avionëve të tjerë që ishin nisur nga Rusia. Grupe të rinjsh rreth të 20-ave apo 30-ave debatonin me zë të lartë rreth godinës së terminalit, duke grumbulluar valixhet e tyre në karroca, duke shkëmbyer para, dhe duke diskutuar se çfarë do të bënin më pas.

Armenia është një nga vendet e pakta, në të cilat mund të shkojnë ende rusët, pasi pjesa më e madhe e botës perëndimore e mbylli hapësirën e saj ajrore për të gjithë avionët civilë rusë. Dhe është pothuajse i vetmi vend që nuk u kërkon atyre viza.”Unë jam këtu vetëm për pushime”- këmbëngul një udhëtar i lodhur që ka me vete 4 çanta të rënda.

“Në Moskë gjithçka është në rregull!”- shton ai. Por të tjerët janë më të sinqertë dhe më të hapur mbi arsyet e largimit të tyre nga vendi. Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin firmosi një urdhër për mobilizimin e pjesshëm ushtarak.

Dhjetëra mijëra qytetarë të zakonshëm do të thirren në ushtri, dhe do të dërgohen për të luftuar luftën e tij gjithnjë e më katastrofike në Ukrainë. “E rezervova biletën time sapo ai mbaroi së foluri para mediave. Më kushtoi më shumë se 500 dollarë, por nuk kisha luksin të prisja. Pasi e kam marrë tashmë njoftimin për rekrutim në ushtri”- thotë Yuri, një 28-vjeçar që punon për një kompani teknologjike bio-mjekësore.

Ndërkohë 22-vjeçari Ruslan thotë se e pagoi më shumë se dyfishin e çmimit për biletën e tij. “Unë nuk dua të shkoj dhe luftoj në Ukrainë. Dua thjesht të kem një jetë normale”- deklaron ai. Në muajin shkurt, ndërsa Putini dha dritën jeshile që tanket të nisnin të kalonin kufirin dhe të sulmonin Ukrainën, eksperti i IT i paketoi me shpejtësi gjërat e tij dhe erdhi këtu në Jerevan nga frika e kaosit ekonomik.

Megjithatë, duke dëgjuar raportet se gjërat në Rusi po vazhdonin normalisht, ai u rikthye pas vetëm një muaji. Kësaj radhe situata është ndryshe. Që nga shpallja e mobilizimit pjesshëm, edhe ata që e mbështesin qeverinë janë shumë të tronditur.

Gjatë fundjavës, turma të mëdha njerëzish u mblodhën në aeroportet anembanë Rusisë, teksa ata që mund të kualifikoheshin për shërbimin ushtarak, bënë gjithçka që mundën për të shmangur fletëthirrjen. Radhë të gjata janë krijuar në kufirin me Gjeorgjinë fqinje.

Rusët që e refuzojnë luftën, janë parë të kalojnë pikat kufitare hipur mbi skuterët elektrike, për të anashkaluar ndalimin e kalimit në seksionin e këmbësorëve.Duke qenë se Rusia dhe Gjeorgjia kanë zhvilluar një luftë midis tyre vetëm 14 vjet më parë, shumë prej gjeorgjianëve i shohin me mosbesim të ardhurit e rinj.

Ndërkohë qiratë e shtëpive janë rritur shumë, për shkak të fluksit të madh të emigrantëve.

Estonia është një nga ato vende që tashmë i ka mbyllur kufijtë e saj për rusët që përpiqen të arratisen nga vendi. “Në këto kushte ne mund të përballemi me gjithë barrën e këtij fluksi, gjë që nuk është e drejtë. Ne shohim agjentët rusë të hyjnë në Bashkimin Evropian me viza turistike, dhe turistët rusë që sulmojnë refugjatët ukrainas”-deklaroi javën e kaluar kryeministrja e vendit Kaja Kallas.

Edhe Finlanda ka njoftuar se synon të ndalojë rusët, që i shmangen rekrutimit ushtarak. Në vendet e tjera fqinje, një vendim mbi këtë çështje mund të merret shumë shpejt. Gazeta investigative “Meduza”, raporton se Rusia mund të marrë shumë shpejt vendimin për të mbyllur kufijtë e saj.

Sipas një burimi në administratën e Putinit, pasi të përfundojnë referendumet e rreme në Ukrainën Lindore, konflikti me Ukrainën do të përkufizohet si një sulm në tokën ruse, ndaj duke nisur që nga dita e mërkurë, burrat në moshë ushtarake do të ndalohen që të largohen.

Por as kjo lëvizje nuk do t’i ndalojë të rinjtë të përpiqen të shmangin rekrutimin. Videot e postuara në internet, tregojnë se atyre që u ka shkuar fletëthirrja u jepen automatikë kallashnikov të mbuluar nga ndryshku, shumë të dëmtuar nga vitet e ruajtjes në kushte papërshtatshme nëpër depo.

Pra armë që me gjasë nuk funksionojnë. E dëmtuara shumë nga korrupsioni, morali i ulët dhe trajnimi i dobët, ushtria ruse duket se e ka tashmë të vështirë të pajisë si duhet edhe trupat që ka dërguar tashmë në vijën e frontit, e lëre më pastaj dhjetëra mijëra të tjerë, që pritet të trajnohen.

Ç’është më e keqja, ndërsa ata që thirren tashmë kanë një lloj trajnimi ushtarak bazë që nga koha kur kanë kryer shërbimin e detyrueshëm apo në rekrutimin e mëparshëm, do të jenë me siguri të papërgatitur për një luftë moderne kundër trupave ukrainase të mirë-armatosura, të kalitur nga beteja, dhe që përdorin armë të prodhimit perëndimor.

Shanset e tyre për t’u vendosur me shpejtësi në front janë të kufizuara. Ka raporte se stafi trajnues është tashmë vendosur në vijën e parë të frontit. Por njësitë që luftojnë po degradojnë nga ditë në ditë. Disa video të postuara në internet tregojnë grupe burrash, disa tashmë të neveritur nga ushtria, që rrëzohen të dehur rrugës për në bazat e tyre.

“E përse po shkojmë në Ukrainë”- pyet një i ri i mobilizuar. “Një dreqin e di se përse”-përgjigjet vëllai i tij më i vogël në krah. Për ata që nuk mund të dalin dot nga Rusia por që nuk duan të vdesin për Putinin, mbetet vetëm një alternativë.

Ndërsa protestat janë shtypur me dhunë që në ditët e para të luftës, trazira pothuajse të paprecedent kanë shpërthyer pas vendimit për të mobilizuar në ushtri civilët. Në Dagestan, një republikë me shumicë myslimane në jug të vendit, demonstruesit u përleshën me policinë ndërsa turmat bërtisnin vazhdimisht “Jo luftës!”.

Në disa fshatra, vendasit kanë bllokuar autobusët që ishin dërguar për të marrë rekrutët e rinj. Duke qenë shumë larg Moskës, këto komunitete po ndjejnë se tashmë kanë sakrifikuar më shumë se sa u takon në këtë konflikt. Edhe në Çeçeni u zhvillua protesta e parë në 15 vitet e fundit kundër autoriteteve.

Zyrtarët kanë mohuar planet për çdo lloj mobilizimi të mëtejshëm në këtë republikë, dhe kjo me sa duket nga frika e humbjes së kontrollit të situatës. Të tjerët kanë shkuar edhe më tej. Ruslan Zinin, një 25-vjeçar i mobilizuar në Siberi, vendosi se jeta pas hekurave të burgut ishte më e preferueshme sesa vdekja në vijën e parë të frontit të luftës.

Ai përfundoi pas hekurave pasi qëlloi 4 herë mbi oficerin e rekrutimit ushtarak nga një distancë e afërt. Për dekada, pjesa thelbësore e ofertës së Vladimir Putinit, ishte që nëse rusët do të qëndronin jashtë politikës, dhe do t’i linin atij dorë të lirë në lidhje me çështjet e kombit, njerëzit e zakonshëm do të kishin mundësi të bënin një jetë të rehatshme dhe gjithnjë e më të begatë.

Por duke sjellë pasojat e luftës së tij më pranë Rusisë, ai e ka prishur anën e tij të këtij pazari të madh. Madje mund të ketë nxitur aktivizimin e forcave, që nuk janë parë thuajse që nga ditët që pasuan rënien e Bashkimit Sovjetik. “Mua nuk më pëlqen të flas për politikë. Por  e di se ajo që po ndodh tani është krejtësisht e gabuar”- thotë Vasily, 26 vjeç, duke zbritur nga një avion rus në aeroportin e Jerevanit. /abcnews.al