“Si në filma, erdhi fundi i botës”, gruaja afgane rrëfen përballjen me talebanët: Erdhën me kamxhik

schedule19:09 - 19 Gusht, 2021

schedule 19:09 - 19 Gusht, 2021

Një zyrtar taleban i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se “nuk mund të fajësohen” për kaosin dhe dhunën rreth aeroportit të Kabulit, ndërsa afganët nxitojnë që të largohen nga frika. Ruajtja e rendit dhe ligjit në territorin e kontrolluar nga talebanët është “përparësia kryesore” e grupit, tha zyrtari.

Bisedimet midis udhëheqësve talebanë në lidhje me fatin e anëtarëve të ushtrisë kombëtare afgane kanë filluar, tha zyrtari, dhe disa nga anëtarët e lartë të grupit kanë nisur regjistrimin e armëve, municioneve dhe automjeteve të lëna pas nga forcat amerikane dhe aleate.

Ndërkohë që një grua afgane, e pajisur me vizë për një vend tjetër, i tha BBC -së se ajo u kthye nga aeroporti i Kabulit nga talebanët sepse ishte vetëm. Ajo tha se kur mbërriti në aeroport iu afruan disa burra që mbanin kamxhik, të cilët kërkuan të dinin pse ajo nuk ishte e shoqëruar me një burrë.

“Ishte kaq e frikshme, makth, si një film” tha ajo për “BBC”. Gruaja, tha se nuk shihte shenja ndryshimi midis militantëve talebanë. “Ata janë brutalë si më parë“, tha ajo duke shtuar se ka frikë se nuk do ta lënë kurrë të largohet nga vendi. “Nuk ka shpresë, është si fundi i botës” tha ajo./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!