Çelja e sezonit turistik në Librazhd po shndërrohet vit pas viti në një traditë të konsoliduar, e cila jo vetëm promovon pasuritë natyrore dhe kulturore të zonës, por po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria e më gjerë. Në zemër të qytetit, atmosfera festive solli gjallëri, ngjyra dhe ritme tradicionale, duke e kthyer Librazhdin në një destinacion tërheqës për turizmin kulturor dhe natyror.
Mes muzikës popullore, valleve tradicionale dhe aromës së gatimeve karakteristike të zonës, qytetarë, artistë, grupe folklorike dhe biznese lokale u bënë pjesë e një aktiviteti që synon të promovojë identitetin dhe vlerat më autentike të Librazhdit. Një bashki e vogël për nga shtrirja, por me potenciale të mëdha turistike.
Përgjatë aktivitetit, vizitorët patën mundësi të njiheshin nga afër me produktet bio të zonës, artizanatin dhe kuzhinën tradicionale, elementë që po kthehen në një nga asetet më të rëndësishme të turizmit lokal. Veçanërisht të pranishëm ishin turistët nga Kosova, të cilët prej vitesh zgjedhin Librazhdin si një destinacion fundjave apo pushimesh, larg zhurmës së qyteteve të mëdha.
Ky organizim shihet jo vetëm si një festë që çel simbolikisht sezonin veror, por edhe si një mundësi konkrete për zhvillimin ekonomik të komunitetit lokal. Përmes promovimit të traditës, kulinarisë dhe potencialeve natyrore, Librazhdi synon të forcojë pozitat e tij si një destinacion gjithnjë e më i preferuar për turizmin malor, kulturor dhe familjar./abcnews.al


