“S’i kishim 11 lojtarë për të luajtur!”, anulohet ndeshja e kombëtares afrikane

schedule13:16 - 12 Tetor, 2020

schedule 13:16 - 12 Tetor, 2020

Koronavirusi vazhdon të infektojë shumë njerëz. Pandemia nuk po merr fund, dalja e vaksinës është ende larg dhe futbolli vijon të tronditet nga rastet e shumta të lojtarëve pozitivë. E fundit që e ka pësuar keq është Guinea, që ka si kapiten Naby Keita, mesfushorin e Liverpool (një ndër të infektuarit).

Kombëtarja afrikane kishte programuar një miqësore ndaj Gambias, por nuk i kishte bërë mirë llogaritë me Covid-19 dhe lojtarët e dëmtuar. Dueli i parashikuar të luhej në Portugali të martën në mbrëmje, është anuluar.

Mediat lokale raportojnë se 5 futbollistë kanë rezultuar pozitivë, ndërsa Federata e Futbollit të Guinesë, me anë të një postimi në rrjetet sociale, thekson se në dispozicion të trajnerit kanë mbetur shumë pak futbollistë.

Disa lojtarë janë me koronavirus, të tjerë janë të dëmtuar. Kombëtarja jonë ka më pak se 11 lojtarë në dispozicion dhe njëri prej tyre është portier. Ky është shkaku pse vendosëm të anulonim ndeshjen, vendim që u morr me marrëveshje të ndërsjelltë me organizatorët e miqësores“, shkruan Federata afrikane. /abcnews.al