Ndryshe nga shumë ngjarje kriminale kur autorët përdorin armë të tipit kallashnikov për të ekzekutuar objektivin dhe pas krimit gjendet një mjet i djegur, në atentatin e biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë skema është e ndryshme. Autori është një i vetëm, ai hyn dhe del nga vendi i krimit i qetë, pa ndihmën e askujt tjetër. Dhe përdor pistoletë të tipit TT.
Nga mënyra e ekzekutimit ngrihen dyshime, se autori është një njeri që ka njohuri të mira për përdorimin e armës, pasi kjo duket qartë gjatë ekzekutimit të biznesmenit, ndaj të cilit vrasësi qëllon 7 herë, dhe në fund për tu siguruar e qëllon me dy pliumba në kokë. Vrasja ka ndodhur brenda 15 sekondash.
Pas kësaj skene, autori largohet po qetësisht prej andej duke u shkëmbyer në derën kryesore po me vjehrrin e Nikulajt.
Edhe pse dinamika dhe skema e vrasjes është e qartë për policinë, hetuesit e kanë të vështirë të identifikojnë atentatorin i cili është kujdesur të mos lërë prova në vendngjarje.
Ekspertë të policisë kriminale mendojnë se vrasësi është profesionist dhe ka mirëmenduar vendin se ku do të kryente vrasjen, për të mos rrezikuar jetën e personave të tjerë që mund të ndodheshin me biznesmenin 50 vjeçar.
Autori vijon të jetë ende i paidentifikuar. Në këtë foto, ai shfaqet duke u larguar me një motor me targa të huaja nga Shëngjini.
Pavarësisht pistave hetimore të ngritura si ajo e hakmarrjes, për arsye biznesi apo për motive politike, policia nuk ka asnjë autor apo porositës krimi si të dyshuar.
Të enjten, në Tiranë u ndalua një motor i ngjashëm me atë të përdorur në vrasjen e Ardian Nikulaj, por jo me targa të huaja.
Pas verifikimeve që iu bë edhe me shenja gishtat, mjeti u lirua./abcnews.al