Emisioni VETTING
Në shpinën e kodrës përmbi Panahor, gropat e hapura të rrethuara nga ferrat, janë dëshmi e varrimeve dhe zhvarrimeve të 93 ish të burgosurve politikë të repartit 309. Asnjë shenjë a pllakat që të lidhë të gjallët me historinë e këtyre viktimave të heshtura, veçse asaj çka mbetet nga kampi mbi uzinën e Ballshit, ku shumë prej tyre punuan deri në frymën e fundit. Të keq ushqyer e keqtrajtuar, të vrarë gjatë tentativave për arratisje nga ajo gjendje skllavërie, të dënuar edhe në përtejbotë, shumë nga ata, qenë kurbani i ndërtimit të një prej gurëthemeleve më të mëdha të industrisë së rëndë në Shqipëri. Pas vitit ‘71, ndërsa Kombinati i Thellë i Përpunimit të Naftës ngrihej gurë pas guri, kodra e Panahorit krrusej prej viktimave që shtoheshin.
E projektuar në vitin 1970 nga Instituti i Projektimit në Pekin për naftat e rënda, uzina, siç tregon inxhinieri Nako Petro, ish menduar të përpunonte 60% naftë Ballshi dhe 40 përqind naftë prej vendburimit të Gorishtit të zbuluar në vitin 1974. Po në këtë vit ai kishte nisur punë në Kombinat, së bashku me dhjetëra specialistë të tjerë, të huaj e të ardhur nga rafineri të tjera vendase si ajo e Kuçovës, Fierit, Elbasanit apo Cërrikut. Ndërsa në fund të vitit ‘77, Kombinati i Përpunimit të Thellë të naftës po konsolidohej, vijimësia e punës, me marrëdhëniet “e krisura” me Kinën që kish asistuar gjatë gjithë procesit s’do të qe aspak e lehtë.
Në impiantin e distilimit atmosferik dhe atë të koksifikimit të vonuar, në dhjetor të vitit 1977 uzina do të jepte provën e parë të suksesit. Gradualisht siç tregon Petro, drejtues i uzinës nga viti 1983 deri në vitin 1991, do të nisnin punën dhe impiantet simotra; impianti i hidrogjenit, hidropastrimit, platformingut, pastrimit të gazit dhe prodhimit të squfurit. Kështu nafta që përshkonte dejet e impianteve në prag të vitit ‘80, ishte i vetmi shpërblim për sakrificën e punonjësve të lirë e të burgosur. Ndoshta mirënjohja do të vinte më pas, në perspektivën e një ekonomie në rritje e ndërgjegjësimin për memorien kolektive.
Uzina, që në vitin e parë të punës arriti të prodhojë rreth 23000 ton vajra të ndryshëm, duke krijuar kështu vizionin për një nga rafineritë më të suksesshme në rajon. Inxhinieri Nako Petro, tregon se asokohe numri i asortimenteve u rrit me shpejtësi duke prodhuar 40 lloje vajrash të një game shumë të gjerë. U krijua një markë shqiptare e naftës dhe nënprodukteve të saj, e denjë për eksport edhe kur qytetarët ishin të izoluar. Një ëndërr që rritej mbi shtratin e përpunimit të arit të zi, e që sot është në perëndim.
…………………………..
Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e @Albania Quality Journalism, @Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe @Qendra Fol, mbështetur nga @U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.
/ Abcnews.al