Si funksionon “makina e së vërtetës”, kandidatët për BKH nesër në testim fizik

schedule11:35 - 5 Shkurt, 2020

schedule 11:35 - 5 Shkurt, 2020

Nis nesër faza tjetër e kualifikimit të kandidatëve për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kandidatët për BKH do t’i nënshtrohen testit fizik. Testimi do të realizohet në ambientet e RENEA-s në Kombinat.

Mësohet se testi përmban 2.4 kilometër vrap, pompa, 300 metra vrap shpejtësie dhe palosjen e barkut.

Ndërkohë në Ministrinë e Brendshme janë diplomuar 5 poligrafët e parë, të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përdorimin e “makinës së të vërtetës”. Të diplomuarit do të përdorin pajisjet poligrafike te kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Mësohet se makina poligrafike mat ndryshimin e trupit gjatë përgjigjeve për pyetjet me po ose jo. Disa fisha që lidhen në trup transmetojnë informacion në kompjuter, që më pas bën edhe vlerësime nëse personi po gënjen apo është duke thënë të vërtetën.

Me anë të një fashe të vendosur në krah matet presioni i gjakut nga pulsi, si dhe tensioni i gjakut. Në pjesën e gjoksit dhe në bark vendosen tuba gome, që regjistrojnë frymëmarrjet. Ekspertët thonë se kjo pajisje ka një shkallë saktësie që varion nga 85 në 95%. Për të nxjerrë rezultatet, kësaj pajisjeje i duhen rreth 3 orë.

“Poligrafi është një detektor që është krijuar për të dalluar gënjeshtrën. Specialistët shpjegojnë se është një pajisje ose procedurë që mat dhe regjistron disa indikatorë fiziologjikë, siç janë presioni i gjakut, pulsi, frymëmarrja dhe përçueshmëria e lëkurës ndërsa një person pyetet dhe i përgjigjet një serie pyetjesh. Ekspertët thonë se suksesi në përdorimin e poligrafit është në prodhimin e përgjigjeve fiziologjike që krijon trupi, në rast se personi që i nënshtrohet testit është duke gënjyer. Sidoqoftë, thonë kritikët, nuk ka reaksione specifike fiziologjike që lidhen me gënjeshtrën, duke e bërë të vështirë për të identifikuar faktorët që ndajnë gënjeshtarët nga personat që tregohen të vërtetë. Ekzaminuesit e poligrafit preferojnë të përdorin metodën e tyre individuale të pikëve, në krahasim me teknikat e kompjuterizuara, pasi ata mund të mbrojnë më lehtë vlerësimet e tyre”, shpjegojnë ekspertë të poligrafisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!