Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump nuk do të ketë të drejtë të përdorë platformën Facebook. Bordi mbikëqyrës i rrjetit social votoi për vazhdimin e ndalimit të llogarisë së tij, që ishte pezulluar para katër muajsh për nxitje të dhunës që çoi në trazirat vdekjeprurëse të 6 janarit në Kapitol.
Por si funksionon këshilli prej 20 anëtarësh?
Bordi mbikëqyrës është i përbërë nga ish-udhëheqës politikë, akademikë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë të zgjedhur. Ai u krijua një vit më parë dhe është i vendosur në Londër. Mark Zuckerberg konceptoi në 2018 idenë e një organi të pavarur të krijuar për të funksionuar si Gjykatë e Lartë. Zuckerberg tha se as ai dhe as kompania nuk donin të kishin fjalën e fundit për lirinë e fjalës.
Si kompania ashtu edhe anëtarët e bordit mbikëqyrës deklarojnë se bordi është një organ i pavarur. Por Facebook po e financon atë, me zyrtarë të lartë të kompanisë që luajnë një rol kryesor në strukturën e tij.
Deri më tani, bordi ka marrë një numër vendimesh në lidhje me raste të vogla të fshirjes së postimeve.
Sa i përket vendimit aktual, konsiderohet se mund të sinjalizojë mënyrën në të cilën platforma e rrjeteve sociale do të merret në të ardhmen me udhëheqësit që thyejnë rregullat e Facebook.
Si funksionon?
Bordi mbikëqyrës merr detyrat që i janë caktuar nga Facebook ose publiku. Paneli pastaj zgjedh pesë anëtarë për të parë çështjen. Anëtarët takohen për të diskutuar çështjen dhe për të bërë një koment publik.
Në rastin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Facebook kërkoi nga bordi mbikëqyrës të bënte rekomandime në lidhje me politikën e kompanisë në rastin e llogarive të liderëve politikë. Kompania nuk është e detyruar të miratojë këto rekomandime.
A është i pakthyeshëm vendimi i Trump?
Nëse Facebook ndjek rregullat që ka vendosur, atëherë po, vendimi është i pakthyeshëm. Kompania ka deklaruar se të gjitha vendimet e bordit mbikëqyrës janë të detyrueshme dhe madje edhe vetë Zuckerberg nuk mund t’i anulonte ato.
Sidoqoftë, nuk ka asnjë organ për të mbikëqyrur zbatimin e duhur të marrëveshjes midis Facebook dhe bordit mbikëqyrës. Facebook refuzoi një propozim të bordit për të hequr një postim në lidhje me Covid-19. Kompania deklaron se “propozimet” janë të ndryshme nga “vendimet” dhe nuk janë të detyrueshme./ db/ Abcnews.al