“Si e ruanim Kadri Hazbiun të futur në një kafaz hekuri, porosia e Enverit: Kujdes së është si miu”

schedule09:48 - 27 Dhjetor, 2019

schedule 09:48 - 27 Dhjetor, 2019

Nga Dashnor Kaloçi

 Kjo eshte historia e procesit hetimor që iu bë ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu në ambientet e burgut të Tiranës apo siç njihej ndryshe: Repartit 313, nga tetori i vitit 1982 deri në 14 shtator të ’83-it, kur ai bashkë me Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin dhe Llambi Peçinin, u morrën nën masa të rrepta sigurie për t’u ekzekutuar diku në një vënd të fshehtë në periferi të kryeqytetit, afër fshatit Linzë.

Dëshmia e rrall e ish-policit, Sazan Demollari, lidhur me efektivat që ishin përzgjedhur për sigurinë e atij burgu, porositë që u jepte komanda, sa kohë qëndronte Hekuran Isai aty në burg,  dhe si trajtohej ish-Ministri Kadri Hazbiu dhe pjestarët e tjerë të atij grupi ,dhe çfarë porosie të veçantë kishte dhënë Enver Hoxha për Hazbiun…?!

Kadri Hazbiun e sistemuan në një qeli speciale, e cila ndodhej në katin e dytë të godinës së burgut, ku dritaret e vogla të saj shikonin nga juglindja. Po kështu edhe të gjithë të arrestuarit e tjerë të atij grupi, si Feçor Shehu, Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Llambi Peçini etj., u sistemuan po në katin e dytë të godinës së burgut, në disa qeli speciale, me shkallë tepër të lartë sigurie, ku ndodhej e instaluar edhe teknika e përgjimit”. Kështu e kujton ish-polici Sazan Demollari, izolimin e ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit të tij, në Burgun 313 të Tiranës, ku ai ka shërbyer për më shumë se 20 vjet si gardian. Po si u trajtua Hazbiu dhe pjesëtarët e tjerë të atij grupit në atë burg dhe çfarë porosie kishte dhënë Enver Hoxha për Kadriun? Lidhur me këto e ngjarje të tjera të ndodhura në Burgun 313 të Tiranës, në periudhën janar 1982-shtator 1983, kur u mbajt i izoluar ai grup, na njeh për Memorie.al ish-polici Sazan Demollari, i cili ka shërbyer në atë burg deri në vitin 2001.

Zoti Sazan, kur e keni filluar për herë të parë shërbimin në repartin 313, apo siç njihet ndryshe: burgu i Tiranës?

Për herë të parë në atë repart unë e kam filluar shërbimin në fillimin e dhjetorit të vitit 1981, dhe aty shkova pasi kisha kryer për tre muaj me radhë një stërvitje tepër intensive në një nga repartet speciale të Ministrisë së Brendshme, i cili ndodhej në rrethinat e qytetit të Ballshit. Stërvitja që kryem ne në atë repart ishte tepër speciale dhe, përveç nesh, atë lloj stërvitje në atë kohë e kryente vetëm një repart i Gardës së Republikës. Ajo lloj stërvitje mund të krahasohet me atë që kryejnë sot trupat komando.

Çfarë kriteri kishin ato efektivë që kryenin atëq stërvitje bashkë me jë në Ballsh?

Në atë qendër stërvitore Ministria e Brendëshme kishte mbledhur ushtarë dhe nënoficerë të zgjedhur me kujdes, nga ana e biografive familjare, pasi me mbarimin e saj ata dërgoheshin për të kryer shërbime tepër speciale, të një rëndësie të veçantë, në reparte të ndryshme të kampeve e burgjeve, si Qafë-Bari në Pukë, Batërr e Martaneshit, Spaçi i Mirditës, Bulqiza, Torovica e Lezhës, Përparimi i Sarandës, Porcelani dhe 313-a në Tiranë etj.

 Kur shkuat në Repartin 313 të Tiranës dhe cilat ishin instruksionet e para që u dha komanda?

Në atë kohë që shkuam ne në atë repart ai komandohej nga komisari Imer Malo dhe Hafuz Murati, i cili ishte i komanduar në funksionin e komandantit. Por në atë kohë me ne nënoficerët dhe ushtarët merrej komisari Imer Malo (me origjinë nga Vlora), pasi komandanti Hafuz Murati qëndronte në ambientet e brendshme të burgut. Kështu që porositë dhe instruksionet e para ne i morëm nga komisari Imer Malo, i cili ishte një njeri shumë i mirë, tepër i respektuar dhe i sjellshëm me ne ushtarët, që na donte si fëmijët e tij. Në porositë e para që ai na dha, në mes të tjerash, u shpreh: “Duhet të kini parasysh dy gjëra: Këtu në burg të mos hyni në biseda me të dënuarit dhe jashtë repartit të mos krijoni asnjë lidhje me familjet e tyre”.

Në atë kohë që ndodhi vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut, si ua komunikuan atë ngjarje aty në burg?

Lajmin për vetëvrasjen e Mehmet Shehut (siç na u tha në atë kohë), unë e kam mësuar në orën 23.00 të natës së 18 dhjetorit 1981, teksa isha duke kryer shërbimin në vendrojen nr. 4, e cila ishte dhe më e rëndësishmja, pasi ajo ishte fare pranë bokseve të ajrosjes, ku të dënuarit dilnin dy herë në ditë nga një orë. Atë lajm ma komunikoi oficeri i rojes, i cili më erdhi në vendroje bashkë me komandantin tim të skuadrës (Agron… nga Berati) dhe më tha: “Ka vrarë vehten Mehmet Shehu dhe kini kujdes të rrisni vigjilencën…”. Para se të më vinte ai në vendroje, unë pashë lëvizje të shumta në repartin që ishte ngjitur me ne (Reparti 325), dhe pas kësaj në të dy repartet u dha gatishmëria. Të nesërmen na bënë mbledhje ku mes të tjerash komisari na tha: “Mehmet Shehu ka vrarë vehten dhe, sipas porosive që na kanë ardhur nga shoku Enver, ai është armik i popullit dhe si i tillë do dënohet”.

 Nga ai që u quajt “Grupi i Kadri Hazbiut”, kush erdhën të parët në repartin 313?

Para se të vinin të arrestuarit e grupit të Kadri Hazbiut, aty në atë burg ndodheshin të arrestuarit e “Grupit të tropojanëve”, me në krye Isuf e Skënder Alucën, të cilët konsideroheshin shumë të rrezikshëm, pasi flitej se grupi i tyre kishte dashur që t’i bënte atentat Ramiz Alisë. Kurse nga grupi i Kadri Hazbiut në fillim erdhi Fiqret Shehu me dy djemtë e saj, Skënderin e Bashkimin. Ardhja e tyre, në mos gaboj, ka qenë në fundin e janarit apo fillimin e shkurtit të vitit 1982 dhe në muajt që pasuan erdhën dhe të tjerët, si komandanti i truprojes së Mehmet Shehut, Ali Çeno; berberi i Hotel “Dajtit”, me mbiemër Ahmetaga; oficeri shoqërues i Mehmetit, Gani Kodra; ministri i Brendshëm, Feçorr Shehu, ish-zv / ministri i Brendshëm, Mihallaq Ziçishti; ministri i Jashtëm, Nesti Nase; ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti etj. I fundit që ka ardhur aty në atë burg, në mos gaboj aty nga mesi i tetorit 1982, ka qenë vetë Kadri Hazbiu. Në atë kohë unë nuk ndodhesha me shërbim në atë burg, pasi isha me stërvitjen e ushtarëve të rinj në repartin e Ballshit, por ardhjen e Kadri Hazbiut e mësuam kur erdhëm aty në datën 2 dhjetor 1982.

A ua komunikuan ardhjen e Kadri Hazbiut në atë burg?

Po, na e komunikoi komisari Imer Malo, i cili na tha: “Këtu në burg ndodhet edhe Kadri Hazbiu, i cili është arrestuar pasi ka tradhtuar. Kadriu bashkë me njerzit e tij dhe Xhevdet Mustafën kanë pasur pikësynim për të rrëzuar Enver Hoxhën”.

Ku u sistemua Kadri Hazbiu dhe të arrestuarit e tjerë të atij grupi?

Kadri Hazbiun e sistemuan në një qeli speciale, e cila ndodhej në katin e dytë, sipër kaushit, ku dritaret e vogla të saj shikonin nga juglindja. Po kështu edhe të gjithë të arrestuarit e tjerë të atij grupi u sistemuan në katin e dytë të godinës së burgut, në disa qeli speciale me shkallë tepër të lartë sigurie, ku ndodhej e instaluar edhe teknika e përgjimit.

Me ardhjen e këtij grupi, a u përforcua shërbimi në burg?

Me ardhjen e grupit të Kadri Hazbiut, i gjithë efektivi i shërbimit të burgut kaloi në gatishmëri të plotë. Pas kësaj, shërbimi i burgut u përforcua edhe me një kompani tjetër ushtarësh të ardhur nga Batalioni i Sigurimit i Ministrisë së Brendshme (rep.324), të cilët u caktuan për të bërë shërbim në rrethimet e jashtme të burgut. Po kështu, shërbimi i brendshëm i burgut u përforcua edhe me shumë forca të tjera, të ardhura nga efektivat e objekteve dhe ambasadave. Në atë kohë ne na qëndronin shumë afër kuadrot drejtues të repartit 313, me në krye komandantin e policëve, Pajtim Abedini.

 Pas ardhjes së grupit të Kadri Hazbiut, kush komandonte në atë burg?

Edhe pas ardhjes së grupit të Kadri Hazbiut, burgu komandohej njëlloj si më parë, nga Imer Malo dhe Hafuz Murati, por në atë kohë aty u shtua edhe Komandanti i Komandaturës së Ministrisë së Brendshme, N.S., i cili përgjigjej për gjithçka që lidhej me grupin e Kadri Hazbiut, duke filluar nga ushqimi, fjetja, kontrolli mjekësor, shërbimi etj. N. ishte shumë i komunikueshëm me ne dhe shquhej për kërkesë të fortë llogarie.

 Po Hekuran Isai a vinte aty?

Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, vinte gati çdo natë aty në burg dhe ai punonte nga ora 21.00 deri në orën 3 apo 4 e mëngjesit, periudhë kohe kur dhe bëhej hetuesia nga grupi special i hetuesve.

Është thënë se Kadri Hazbiu nuk ka folur fare gjatë procesit hetimor, çfarë dini rreth kësaj?

Them se është e vërtetë kjo gjë, pasi kështu kemi dëgjuar edhe ne në atë kohë që bënim shërbim aty. Bile ne na thonin se Enver Hoxha kishte porositur: “Të bëhet kujdes me Kadriun, pasi ai është si miu, që ka bërë çdo gjë pa zhurmë”. Kadriu rrinte urtë në qeli dhe nuk krijonte probleme gjatë hetimeve. Ndonjë gjë më të saktë se çfarë ka thënë Kadri Hazbiu në atë kohë unë nuk di të them, pasi ne e kishim kategorikisht të ndaluar të bisedonim me shokët e kolegët tanë të punës për ato probleme. Konspiracioni aty ishte në shkallën më të lartë.

 Pse, kishte të tjerë që krijonin probleme?

Feçorr Shehu krijonte probleme, pasi ai ishte njeri shumë impulsiv.

Po për ushqimin dhe kontrollin mjekësor të grupit të Kadri Hazbiut, kush përgjigjej?

Ushqimi i tyre ishte tepër special dhe ai përgatitej në një guzhinë të veçantë, e cila u hap apostafat në mjediset e Hetuesisë. Si kuzhinier i parë ishte një person i quajtur Jorgo, të cilin e kishin sjellë aty nga klubi i Ministrisë së Brendshme, ndërsa ndihmës i tij ishte M. B. nga Tepelena. Ushqimin që gatuanin ata e kontrollonte mjeku i burgut, Nevzati, i cili kujdesej edhe për anën shëndetësore të atij grupi. Desha të them se gjatë gjithë periudhës së hetuesisë së atij grupi asnjë nga të arrestuarit nuk ka shkuar në spital me autoambulancë, pasi nuk ka qenë nevoja. Po kështu gjatë gjithë periudhës së hetimeve të atij grupi aty në burg nuk ka ndodhur asnjë incident.

 A bëheshin tortura ndaj tyre?

Nuk di çfarë të them për këtë, sepse nuk di gjë.

 Kur u bë gjyqi i tyre, a u shtuan masat e sigurisë?

Gjyqi i tyre, i cili filloi në fundin e gushtit 1982, u bë në një dhomë të improvizuar si sallë gjyqi të godinës së Hetuesisë, në katin e dytë të saj, e cila ndodhet nga ana perëndimore e burgut. Gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, me urdhër nga komanda, unë e hoqa ushtarin që ruante aty në vendroje dhe në vend të tij bëja shërbim vetë me dy kolegët e mi, Agim Veseli nga Lezha dhe Besnik Premçi nga Peshkopia. Heqja e ushtarit u bë në mënyrë që ai të mos dëgjonte se çfarë flitej aty në gjyq. Gjatë gjithë periudhës së gjyqit, i cili zgjati deri nga data 12 shtator, ne ishim në gatishmëri nr 1. Pas dhënies së dënimeve me vdekje për Kadri Hazbiun, Feçorin, Peçinin e  Ziçishtin, aty në burg u shtua gatishmëria dhe, që kur kishte filluar gjyqi, ishin ndaluar të gjitha lejet dhe liridaljet për ushtarët dhe nënoficerët.

 A keni qenë aty kur Kadriun dhe tre të tjerët i morën për t’i ekzekutuar?

Aty kam qenë me shërbim. Ata të katërt i morën për t’i ekzekutuar aty nga ora 23.45 e mbrëmjes së 14 shtatorit 1982 dhe i nxorën jashtë burgut nga dalja e kaushit. Në ato momente u fikën të gjitha dritat e burgut dhe, sipas urdhrit që na u dha nga komanda, ne i hoqëm nga vendrojet të gjithë ushtarët dhe i mbyllëm në një fjetore, në mënyrë që ata mos shikonin se ç’po bëhej aty. Kadriun e hipën në një mikrobus më vete, ndërsa tre të tjerët i futën bashkë në një makinë.

Pasi i nxorën nga burgu, ku i çuan ata dhe kush u mor me procedurat e ekzekutimit të tyre?

Nuk dihet, çdo gjë, siç thashë më lart, ishte tepër konspirative.

 Pas ekzekutimit të tyre, të dënuarit e tjerë sa kohë qëndruan aty?

Të tjerët qëndruan aty për pak kohë dhe më pas i çuan në Burrel. Aty në burg lanë vetëm Fiqrete Shehun, të cilën e sistemuan në katin e dytë. Përveç gardianes që i rrinte brenda në qeli, aty ishin dhe dy gra të tjera të dënuara, të cilat e kishin nën mbikëqyrje atë. Fiqretes i jepej rregullisht gazeta “Zëri i Popullit”, të cilën më pas ajo e dorëzonte dhe dy herë në muaj ajo bënte takim rregullisht me djalin e saj Bashkimin, i cili ndodhej në kaush. Ai takim bëhej në prani të gardianëve dhe komandantit të regjimit të brendshëm të burgut.

Po Halit Bajramin, pjesëtarin e bandës së Xhevdet Mustafës, a e keni pasur aty në burg?

Halit Bajrami u mbajt për më shumë se një vit aty, në një dhomë speciale, të veçantë, te godina e Hetuesisë, dritaret e së cilës shikonin nga lindja. Aty ai kishte të gjitha kushtet e komoditetet e nevojshme, si televizor, libra, gazeta, e deri tek ngrohja qendrore dhe ushqimi special. Halitin e sollën aty që pas vrasjes së Xhevdet Mustafës dhe në dhomën e tij nuk lejohej të futej asnjë njeri. Pak kohë pas mbarimit të gjyqit, atë e hoqën që andej dhe e çuan në një dhomë speciale tek 15-katëshi, (Hotel Tirana) e më pas për në Zelandën e Re. Kështu dëgjuam ne atëhere për Halitin, me të cilin unë kisha biseduar disa herë.

 Deri kur keni shërbyer tek 313-a?

Aty kam shërbyer deri më 2001. I kam parë e përjetuar në atë burg edhe trazirat e marsit 1997.

Dëshmia e ish-policit; Kush ishin dy gardianët më të besueshëm që bënin kontrollet e imta?!

Lidhur me masat e sigurisë në të cilat mbahej në Burgun 313 të Tiranës Kadri Hazbiu dhe pjestarët e tjerë të atij grupi, Sazan Demollari shprehet: “Si Kadri Hazbiu, ashtu dhe pjesëtarët e tjerë të atij grupi, kishin brenda në qelitë e tyre nga një roje civile, i cili kishte dhe përgjegjësinë kryesore për jetën e personit të arrestuar. Po kështu, duke filluar nga Kadriu, dhe të gjithë të tjerët kishin nga një kaskë në kokë, në mënyrë që të mos tentonin vetëvrasjen duke i rënë murit me kokë.

Ndryshe nga të arrestuarit e tjerë, Kadri Hazbiu mbahej i mbyllur në një kafaz hekuri, i cili ishte përgatitur dhe futur apostafat për qelinë e tij. Përveç civilëve që rrinin brenda qelive, në të tre sektorët ku ndodheshin të arrestuarit bënin patrullim në korridore edhe nga dy policë, të cilët ndërroheshin në çdo gjashtë orë. I gjithë shërbimi që kryhej prej tyre ishte në mënyrë perfekte dhe as nuk mendohej të abuzoje sadopak me detyrën, pasi kontrollet ishin të vazhdueshme, si nga komanda e repartit ashtu dhe nga Ministria e Brendshme. Të gjithë personat që bënin shërbim brenda në burg silleshin aty me anë të një mikrobuzi të veçantë, që i merrte ata nëpër shtëpitë e tyre dhe kjo gjë bëhej në mënyrë që ata të mos kompromentoheshin dhe të mos binin në sy se punonin aty në repartin 313.

Dy gardianët kryesorë të burgut ishin Ali Balla dhe Garip Biçoku, të cilët kishin vite në atë profesion dhe ishin tepër të besueshëm për detyrën që u ishte ngarkuar. Në çdo kat kishte nga një postobllok me dyer hekuri, ku Aliu me Garipin bënin një kontroll të imët fizik, për çdo njeri që hynte brenda në burg, duke filluar që nga fletë-hyrja, pistoleta, çakmaku, thika, prerësja e thojve, e deri tek sendet e vogla që mendohej se mund të paraqesnin rrezik. Po kështu, aty nuk lejohej as ora dhe ajo gjë behej me qëllim për t’i bërë presion psikologjik të dënuarve, që të mos kishin nocionin e kohës. Çdo gjë duhej të dorzohej aty dhe atij kontrolli nuk i shpëtonte dot as ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, apo personat që e shoqëronin atë”./Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!