Si e ndikoi pandemia tregun e punës, gjysma e kompanive do vazhdojnë të punojnë online

schedule07:20 - 12 Gusht, 2021

schedule 07:20 - 12 Gusht, 2021

Rreth 23% e kompanive të anketuara nga Këshilli i Investimeve deklaruan se zgjodhën punën online nga shtëpia për punonjësit e tyre, në momentin që filloi pandemia dhe ishte e pamundur paraqitja në punë.

Puna online është shfrytëzuar në masë më të madhe nga sektori i Shërbimeve, me gati 29% të tyre dhe turizmi, me 25%. Ndërtimi, industria dhe bujqësia, për vetë natyrën e aktivitetit të tyre e kanë pasur të pamundur që të shfrytëzojnë lehtësitë që krijon teknologjia.

Puna nga shtëpia duket se ka rezultuar si një zgjidhje eficiente, pasi një pjesë e madhe e kompanive që e praktikuan mendojnë që të vazhdojnë edhe pas pandemisë. Sipas anketimit, nga 23% e kompanive që shfrytëzuan punën online, më shumë se gjysma deklarojnë se do ta shfrytëzojnë këtë alternativë edhe në ardhmen.

Turizmi ka vuajtur më shumë heqjen nga puna

Sipas anketimit, 39% e të anketuarve nuk morën asnjë masë për adresimin e pamundësisë për t’u paraqitur në punë; shifrat janë të ngjashme me përgjigjet e të anketuarve të një viti më parë. 13% dhanë lejen vjetore, 25% deklaruan se i hoqën nga puna dhe 23 punuan online.

Turizmi ka vuajtur më shumë heqjen nga puna, me 44% të të anketuarve në këtë sektor, që zgjodhën këtë alternativë. Vështirësi ka pasur edhe bujqësia, me 30% që u përgjigjën se i kishin hequr punonjësit nga puna, ndërsa më të qëndrueshme ishin tregtia dhe ndërtimi.

55% e të anketuarve deklarojnë se kanë përfituar nga skemat mbështetëse të qeverisë aplikuar pas pandemisë COVID-19;

Sektorët që kanë përfituar më shumë janë sektori i Ndërtimit, Tregtia, Industria dhe Turizmi.

Pagat e luftës ka qënë instrumenti më i përfituar nga kompanitë e anketuara, në të gjithë sektorët e ekonomisë;

Industria dhe Ndërtimi kanë shfrytëzuar më shumë Garancinë Sovrane, ndërsa turizmi është sektori që ka përfituar më shumë nga Skemat e punësimit.

Anketa

Sekretariati i Këshillit të Investimeve në prill 2021 zhvilloi një anketë për të vlerësuar ndikimin e Covid-19 në ecurinë e aktivitetit të bizneseve. Kjo është anketa e dytë e kryer një vit më pas fillimit të pandemisë.

Anketimi i parë “Vlerësim i impaktit të pandemisë COVID-19 mbi biznesin në Shqipëri” I, një iniciativë e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, u ndërmor në Prill-Maj 2020 me synimin për të mbledhur evidenca në lidhje me efektet e mundshme të pandemisë COVID-19 mbi biznesin dhe aktivitetin e tij.

Pas 1 viti, Sekretariati ndërmori një anketim të ngjashëm (70% e pyetjeve të njëjta) për të vlerësuar sfidat e biznesit dhe efektet reale të pandemisë COVID19. 427 kompani i’u përgjigjen një pyetësori online. Në anketën e dytë të këtij viti, 89% e kompanive, kanë konfirmuar efektin negativ/shumë negativ të pandemisë në aktivitetin e tyre, ndërsa 65% e të anketuarve deklaruan ulje më shumë se 20% të të ardhurave./monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!