Me 5 vota pro dhe asnjë kundër, Komisioni Rregullator në unanimitet deklaroi mbrëmjen e sotme se nuk është organi kompetent për miratimin e fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi propozoi që fleta e votimit të jetë me emra dhe jo me numra duke ardhur me një variant, ndryshe nga mbledhja e djeshme që solli tre.
Ky është varianti që kërkoi Partia Demokratike, ndryshe nga PS-ja që ishte për identifikimin me numra.
Por Komisioni Rregullator me unanimitet shpalli moskompetencë për të miratimin e fletës së votimit.
Përfaqësuesi i PS-së në mbledhje deklaroi se ka rezerva për fletën e votimit të propozuar nga Celibashi, por shtoi se do t’i shprehë ato në mbledhjen e organit kompetent, që sipas PS është vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Celibashi.
Celibashi një orë pas mbledhjes njoftoi se nesër në orën 10:00 do të zhvillojë mbledhjen për të shqyrtuar projektvendimin për miratimin e fletës së votimit.
Tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e radhës dhe nëse procesi do të futet në ngërç mbi leximin e ligjit se cili është organi kompetent për të vendosur për fletën e votimit.