Shyti: Futbollistët të ulin pagat, Liga fle gjumë! FSHF të rishikojë buxhetet

schedule18:59 - 1 Prill, 2020

schedule 18:59 - 1 Prill, 2020

Drejtori i përgjithshëm i Teutës, Artan Shyti, foli në një lidhje direkte Skype me emisionin Studio Sprint në ABC Neës. Shyti foli për situatën që është krijuar nga pandemia në futboll, si dhe tha se lojtarët duhet të pranojnë uljet e pagave, pasi jemi në një situatë sakrifice.

“Së pari, unë besoj se situata e futbollit është mungesa e aktivitetet, ky është shqetësimi më i madh dhe pasiguria se kur do të fillojë. Nga mënyra si do të zhvillohet aktiviteti, kushtëzohen dhe shumë faktorë. Në Shqipëri, dhe besoj se aspekti financiar ka rëndësi, por nuk është për momentin më i rëndësishmi.

Pjesa më e madhe klubeve në Shqipëri, financohen nga Bashkitë, flas Kategoria e Parë dhe e Dytë, dhe me aq sa di, duhet garantuar nga shteti vazhdimësia e financimit. Si dhe një pjesë e mirë e klubeve të Superiores kanë financime nga Bashkitë dhe kjo duhet të garantohet. Unë mendoj se vënia në zbatim e këtij garantimi duhet të na shqetësojë.

Problemi tjetër që ne kemi, është ai i stërvitjes, sepse ajo kushtëzon dhe cilësinë e futbollit kur të rifillojë. Unë besoj me optimizëm se do të rifillojë futbolli. Në këtë kontekst, besoj se duhet të garantohen këto dyja. Në vijim të këtyre dy elementeve, të diskutohet më pas dhe financimi. Financimi është një element që u kërkua gabim, “Dua ndihmë!”. Nuk duhej kërkuar ashtu, duhej konkretizuar, duhej bërë një plan më i detajuar, duhet të merrte secili përgjegjësinë e vet.

Federata të rishikojë buxhetet për të ndihmuar klubet, sportistët duhet të shikojnë kontratat aktuale, pasi është situatë lufte dhe nuk mund të merret pagesë e plotë. Natyrisht, edhe Bashkitë të ndihmojnë. Financuesit privatë duhen ndihmuar nga shteti. Kjo duhet kërkuar me forcë nga Liga, që për fat të keq nuk ekziston. Klubet private duhen ndihmuar, edhe nga mbështetja e shtetit.

Pagat e futbollistëve? Unë besoj se është normale, po shikojmë edhe në botë sportistët të ulin rrogat e tyre. Ata kontribuojnë dhe paguhen, por për momentin nuk po kontribuojnë për fat të keq. Po flasim për situatë lufte, të jashtëzakonshme. Gjithçka vihet në diskutim në këtë situatë. Nuk mund të thuhet që ne nuk luajmë, por do të marrim të njëjtën pagesë. Mua nuk më duket e drejtë kjo. Në këto kushte, duhet të sakrifikojnë të gjithë, futbollistët, Federatat, Bashkitë, edhe shteti.

Paraleli me Kosovën? Është e vërtetë ajo e Kosovës, por aq sa di unë, në nivel lokal, shteti financon shumë pak, për të mos thënë aspak klubet në Kosovë. I vetmi kontribut që kanë klubet e Kosovës, janë privatë. Shteti i ka dhënë 5 milion euro klubeve në Kosovë, por këtu është ndryshe. Unë shpresoj që shteti ynë të financojë Bashkitë dhe të financojnë klubet më pas”, tha Artan Shyti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!