Shuplakë dhe leksione gjeneralëve, si Duka e ka përjetuar disfatën me Lituaninë

schedule08:11 - 9 Shtator, 2020

schedule 08:11 - 9 Shtator, 2020

Shqipëria e drejtuar nga Edy Reja e zhgënjeu dhe Armand Duka e thotë hapur. Një tërheqje veshi, ose ndoshta edhe shuplakë, është e merituar për futbollistët e kombëtares së madhe. Kreu i FSHF madje ua jep me deklaratën e dhënë pas triumfit me përmbysje të Shqipërisë U21 kundër Andorrës.

“Të dyja ishin ndeshje të vështira, por ekipi U21 luajti edhe pse ishte në disavantazh. Kishte besim dhe ta kthesh ndeshjen është vërtet karakter. Kështu që U21 është në udhën e mbarë, me lojën e bërë në Austri edhe këtu”, thotë fillimisht Duka, i cili më pas futi në “lupë” Shqipërinë e madhe. E madhe vetëm në emra…

“Ndërsa ekipi i parë zhgënjeu jo vetëm me rezultat, por nuk dha gjë në fushë. Nuk mendoj që ishte vetëm lodhja, që padyshim ndikoi, por përqendrimi për të vlerësuar çdo lloj kundërshtari, domethënë për t’u kthyer me këmbë në tokë dhe për ta fituar ndeshjen në fushë.

 

Kombëtarja e madhe para fillimit të ndeshjes ndaj Lituanisë

Jo për ta menduar përpara. Kjo vetëkënaqësi na penalizoi. Gjithsesi duhet të shikojmë përpara, vazhdojmë të jemi pretendent për ta udhëhequr grupin. Duhet të bëjmë rezultat pozitiv në Kazakistan dhe në Lituani”, shtoi Duka.

I pyetur nëse ishte ndeshja më e dobët që kombëtarja ka zhvilluar, kreu i FSHF tenton të mos prodhojë ndonjë titull bombastik. Gjithsesi lojtarët kanë çfarë mbajnë vath në vesh nga ato që Duka tha për mediat.

“Nuk mund të them që ishte ndeshja më e dobët që kemi bërë ndonjëherë. Domethënë Nuk i ndodh vetëm Shqipërisë, i ndodh rëndom skuadrave që pas një euforie të mos kenë përqendrimin e duhur.

 

Lojtarët e Shqipërisë U21 duke festuar fitoren ndaj Andorrës

Por që të jesh skuadër e madhe duhet të kesh përqendrimin e duhur. Pikërisht për këtë ne nuk jemi skuadër e madhe. Duhet të përqendrohemi maksimalisht, të japim mbi 100 për qind që të bëjmë rezultat.

Nëse hymë në fushë si gjeneralë, patjetër që do të dalim të turpëruar”, deklaron presidenti i FSHF, ndërkohë që vijon me mesazhet e tij për ekipin e parë, duke marrë si shembull pikërisht dëshirën e futbollistëve të Shqipërisë U21.

Një pjesë e titullarëve luajnë në Superiore dhe kur Duka pyetet nëse e mendojnë që klubet që çojnë lojtarë në kombëtaret e moshave të shpërblehen, ai thotë: “Patjetër, ne i mbështesim talentet. Ata janë fryt i punës së përbashkët i të gjithë futbollit shqiptar.

 

Festa pas golit të Adolf Selmanit

Ata janë edhe e ardhmja e ekipit të parë. Në fushë pamë shumë lojtarë nga kampionati shqiptarë, që kanë dëshirë për të luajtur. Ata që të japin rezultat janë futbollistët që kanë dëshirë për të luajtur, që japin maksimumin në fushë.

Pamë mbrojtësin, Selmanin, që shënoi gol për herë të dytë. Domethënë vetëm me seriozitet, dëshirë dhe përkushtim maksimal ecet përpara”, përfundoi Duka deklaratën e tij. / Vladimir Prenga – abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!