Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për Emiljano Shullazin, i cili së bashku me pjesën tjetër të grupit që është akuzuar dhe që ndodhet pas hekurave ka kundërshtuar izolimin në regjimin e posaçëm “41-bis”, te 313-ta.
Gjykata vendosi që t’i drejtohet ministrisë së Drejtësisë për t’i kërkuar praktikën dhe urdhrin për izolimin e Emiljano Shullazit. Seanca e radhës është përcaktuar që të mbahet në datë 21 tetor orë 09:00, ndërkohë që Shullazi do të vijojë që të qëndrojë në qelinë e posaçme i izoluar, raporton gazetarja e Abc News Glidona Daci.
Emiljano Shullazi dhe grupi i tij apeluan vendimin për izolimin në regjimin e posaçëm ku ndodhen aktualisht me argumentin se procesi gjyqësor ndaj tyre nuk ka përfunduar dhe se futja e tyre në sistemin “41-bis” mund të ndikojë te vendimi i apelit. Ndërkohë që për dosjen për të cilën janë dënuar me burg nga shkalla e parë grupi i Shullazit vijon procesin në Apel prej dy vitesh./ db/Abcnews.al