Dizajnerja britanike dhe ikona e stilit Vivienne Westwood ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Ajo ndërroi jetë paqësisht në shtëpinë e saj në Londër të enjten, sipas një deklarate zyrtare nga kompania e saj me të njëjtin emër. Bashkëshorti i saj Andreas Kronthaler tha: “Do të mbaj Vivienne në zemrën time”.
“Ne kemi punuar deri në fund dhe ajo më ka dhënë shumë gjëra për të vazhduar. Faleminderit e dashur.”, shtoi bashkëshorti i saj. Kompania e saj njoftoi vdekjen nëpërmjet një postimi në Instagram. “Vivienne vazhdoi të bënte gjërat që i donte, deri në momentin e fundit, duke dizajnuar, punuar në artin e saj, duke shkruar librin e saj dhe duke ndryshuar botën për mirë.
Ajo bëri një jetë të mahnitshme. Inovacioni dhe ndikimi i saj gjatë 60 viteve të fundit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe do të vazhdojë në të ardhmen”, thuhej në postim. Westwood bëri emër në të gjithë botën me stilet e saj të diskutueshme punk dhe New Wave në vitet 1970 dhe vazhdoi të vishte disa nga emrat më të mëdhenj të modës. /abcnews.al


