Shuhet mjeku nga Skrapari, Meta: Lajmi i trishtë, ishte shembull frymëzimi

schedule14:19 - 1 Shkurt, 2021

schedule 14:19 - 1 Shkurt, 2021

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut Muharrem Nonaj. Meta shkruan se dr. Rrekja si e thërrisnin të gjithë do të mbahet mend përherë për devotshmëri heroike, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe humanizmin e rrallë.

Ai e cilëson Nonajn si shembull frymëzimi për mjekët e rinj dhe patriot e qytetar që do të jetojë përherë në zemrat e të gjithëve.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të mjekut të nderuar, Dr.Muharrem Nonaj, një prej figurave më të dashura dhe të respektuara në krahinën e Skraparit dhe Qarkun e Beratit, i cili humbi jetën në betejë me COVID-19.

Në shërbim të qytetarëve për gati pesë dekada, Doktor Rrekja, siç e thërrisnim të gjithë, do të mbahet mend përherë për devotshmërinë heroike, përkushtimin e jashtëzakonshëm, humanizmin e rrallë dhe zemërgjerësinë e Tij të pashoqe, në ndihmë të çdo banori në nevojë në Skrapar e Berat, veçanërisht për mbrojtjen e shëndetit të tyre nga kjo pandemi e rrezikshme, që i mori jetën pabesisht.

Shembull frymëzimi për mjekët e rinj, patriot, qytetar dhe familjar model, kujtimi i Dr.Muharrem Nonaj, do të jetojë përherë në zemrat e të gjithëve ne, të cilët e njohëm nga afër.

Në këto momente tepër të vështira, për këtë humbje të pazëvendësueshme, ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, bashkëshortes Shpresa, fëmijëve të tij, Dr.Blenardit, Matildës e Arlindit, kolegëve dhe të gjithë komunitetit të dashur të Qarkut të Beratit. Lutemi, që shpirti i Tij të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!