Petrit Murzaku, legjenda e Partizanit dhe e sportit shqiptar, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Kampion në futboll, basketboll dhe volejboll, një emër i madh që ka pikëlluar komunitetin sportiv dhe familjarët e Murzakut. Ky lajm ka trishtuar edhe kreun e FSHS-së, Armand Duka, i cili ka bërë edhe një postim në rrjetet sociale.
“U trishtova shumë kur mora lajmin e ndarjes nga jeta të Petrit Murzakut! Një nga pionierët e sportit shqiptar me shumë dimensione dhe më e veçanta qëndron në faktin se ka garuar në disiplina të shumta sportive.
Murzaku kishte një karrierë mbresëlënëse dhe numëron tituj të shumtë kampionë si volejbollist, basketbollist, futbollist dhe madje ka spikatur edhe në atletikë. Përpos rekordeve të shumta si sportist, Murzaku vijoi të jepte kontributin e tij për sportin si trajner e specialist i përgatitjes fizike në shkolla të specializuara ushtarake.
Ai gëzonte respektin e të gjithë komunitetit sportiv, por edhe më gjerë dhe përveç titujve të fituar në fushë, Murzaku ishte nderuar nga autoritetet shtetërore ndër vite me shumë tituj nderi e medalje, si rrallëkush, duke marrë një vend të veçantë në historinë e sportit shqiptar.
Përtej anës sportive, Petriti ishte një babaxhan i vërtetë dhe një njeri gjithmonë i qeshur e mjaft i këndshëm, që kishte vetëm fjalë të mira për të thënë. Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Murzaku dhe të afërmve të tij për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqe”, shkruan Duka.
KARRIERA E MURZAKUT – Volejbol, atletikë, basketboll dhe futboll, Petrit Murzaku ishte i gjithanshëm dhe la gjurmë në periudhën 1948-1964. 16 vite si sportist, ndërsa më pas si trajner dhe specialist dhe drejtues i përgatitjes fizike në shkolla të specializuara ushtarake, deri më 1987, kur doli në pension, në moshën 55 vjeç.
Ai ka fituar 9 herë kampionatin kombëtar të volejbollit, 4 herë kampionatin kombëtar të basketbollit, 3 herë kampionatin kombëtar të futbollit, si dhe është shpallur 9 herë kampion në hedhjen e shtizës, duke mbrojtur ngjyrat e Partizanit. Më poshtë të dhënat e publikuara nga KS Partizani.
Skeda sportive kampionit PETRIT MURZAKU, Mjeshtër i Merituar Sporti
o 1932. Lindi në Tiranë
o Kreu Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”
o Shkollën Ushtarake Pedagogjike “Leningrad”.
o 24 vjet në Shkollën e Bashkuar të Oficerave si pedagog dhe shef katedre
KARRIERA SPORTIVE
o Trajner i ekipit të volejbollit
o Kapiten i ekipit kombëtar të volejbollit
o Anëtar i ekipit kombëtar të basketbollit
o Kampion dhe rekordmen në flakjen e shtizës
o Ka 110 takime ndërkombëtare, 57 fitore me ekipin kombëtar
o Pjesëmarrës në dy kampionate europiane dhe një botëror
o Ka luajtur si futbollist, boksier, hendbollist, atlet, volejbollist, basketbollist.
o Është nderuar me titullin: “Nderi i Qytetit të Tiranës”
TITUJ NDERI
o Mjeshtër i Merituar i Sportit
o Nder i Sportit Shqiptar
o Urdhër i Artë “Naim Frashëri”
o Urdhër i Punës i Klasit të Dytë
o Urdhëri “Skënderbeu” i Klasit të dytë
o Urdhër Ushtarak i Klasit të dytë
o Urdhër i “Yllit të Kuq”
o Urdhëri “Naim Frashëri” të Klasit Parë dhe Dytë
o 22 Medalje kampioni në volejboll dhe basketboll
o Dekoratë personale, akorduar nga Presidenti rus Putin
o Medalja e Çlirimit
TITUJT KAMPION
Në volejboll në vitet: 1952, 1953, 1954, 1955, 1956, 1958, 1959, 1960, 1961, 1962 dhe 1963.
Në basketboll: 1952, 1953, 1954, 1955, 1956 dhe 1957.
Në shtizë: 1955, 1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1961, 1962 dhe 1963.
NË SPARTAKIADËN KOMBËTARE
o Volejboll Vendi i Parë,
o Shtizë Vendi i Parë,
o Gjyle Vendi i Dytë,
o Dhjetgarësh Vendi i Dytë,
o 1955. Pjesëmarrës në Festivalin Botëror të Varshavës, për volejboll.
o 1957. Pjesëmarrjës në lojërat e Festivalit të Rinisë në Moskë
o 1962, 1974. Turne sportiv në Kinë, ku u luajt futboll dhe volejboll, në qytetet: Pekin, Hanxhou, Tiancin, Kanton etj.
Vendet me ekipet e të cilave është ndeshur ekipi ynë kombëtar i volejbollit, pjesë e të cilit ka qenë edhe Petriti: Rumania, Polonia, Gjermania, Austria, B.S., Kina, Hungaria, Bullgaria, Çekia, Belgjika, Holanda, Jugosllavia, Italia, Egjipti, Japonia, Mongolia, Turqia, Kore e Veriut, Anglia dhe Danimarka. /abcnews.al