Shtypi gjerman i ka kushtuar rëndësi diskutimeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë për rishikimin e kufijve. Sipas analistëve, një ndryshim i mundshëm mund të sjellë reaksion zinxhir.
Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje debatit aktual për kufijtë në Ballkan. Nën titullin “Zgjidhje kreative për Ballkanin”, kjo media nënvizon, se Serbia dhe Kosova po diskutojnë për këmbim të territoreve. Ka disa partnerë që e shohin me përmbajtje këtë propozim, por rezistencë vjen nga kancelarja gjermane. Duhet të jetë pritur si bezdisëse në Beograd, shkruan gazeta gjermane, që pikërisht kancelarja gjermane, mjaft e nderuar për një kohë të gjatë nga Vuçiç, del kundër dhe paralajmëron se “‘integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm.
Këtë duhet ta themi gjithmonë, sepse gjithmonë ka përpjekje, të flasim ndoshta edhe njëherë për kufijtë. Këtë nuk mund ta bëjmë. Tingëlloi ndërkohë si një përgjigje indirekte ndaj kancelares Merkel, kur Vuçiç të shtunën në një prezantim të përbashkët me presidentin Thaçi në Forumin Europian të Alpbachut në Austri kërkoi që serbët dhe shqiptarët të gjejnë vetë një zgjidhje. Thaçi nga ana e tij shtoi se ‘koha për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është tani’. Komisioneri Hahn ëndërron për një ‘moment historik.
Por Frankfurter Allgemeine Zeitung e drejton vëmendjen edhe tek rreziqet e planeve të tilla, që mund të sjellin një reaksion zinxhir të pakontrolluar në Ballkan. Wolfgang Ischinger, kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih paralajmëron për hapjen e kutisë së Pandorës. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Suedisë dhe përfaqësuesi i dikurshëm i bashkësisë së shteteve në Bosnje, Carl Bildt u shpreh në “Washington Post”, se të luash me kufijtë dhe ndarjet në Ballkan ka qenë e rrezikshme në fillim të viteve 90-të dhe është e rrezikshme edhe sot. Sipas tij Ballkanizimi i Ballkanit është recetë për katastrofë.
Vetëm austriaku, Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm për Kosovën thotë me siguri se ndryshime ‘kozmetike’ të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të kenë ndikime negative në rajon. FAZ nënvizon deklaratën e Petritsch, se dikur ka qenë kundër ndryshimit të kufijve, por në disa raste duhet të mendohesh dy herë, dhe thekson se ai ka harruar të përmendë se punon për studion e madhe ligjore “Lansky, Ganzger+Partner”, ku klient është edhe qeveria serbe. /abcnews.al