Shtyhet sërish gjyqi për vrasjen e Altin Balliut në Korçë. Burime për abcnews.al bëjnë të ditur se gjyqi është shtyrë për shkak të ngërçit midis prokurorisë dhe gjykatës.
Mbrojtja ka kërkuar aktet e hetimit nga organi i akuzës, por kjo e fundit nuk i paraqet pa vendim gjykate. Seanca e radhës gjyqësore është shtyrë për në datën 3 shkurt.
Kujtojmë se pak ditë më parë gjykata vendosi të kthejë çështjen për rihetim pasi ka konstatuar mangësi në zbardhjen e ngjarjes. Për pasojë kjo solli edhe përplasjen me organin e akuzës.
Vrasja e Altin Balliut në janar të 2019-së, ka përplasur Gjykatën dhe Prokurorinë e Korçës, për shkak të pretendimeve të familjarëve të viktimës dhe autorit të dyshuar.
Përplasja për këtë çështje ka nisur pas akuzës së ngritur nga Prokuroria, ndaj autorit Olger Mustafa. Prokuroria e akuzon Musten për “Vrasje me dashje”, ndërsa familjarët dhe avokati i viktimës pretendojnë se duhet të bëhet klasifikimi i akuzës në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, duke vënë në rrezik shumë njerëz”./abcnews.al