Kërkesë e opozitës për “25 prillin” dhe çështjen e Becchetti, shtyhet ngritja e komisioneve hetimore parlamentare

schedule10:47 - 4 Tetor, 2021

schedule 10:47 - 4 Tetor, 2021

Në mbledhjen e sotme, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që të shtyjë ngritjen e komisioneve hetimore për zgjedhjet e 25 prillit dhe për çështjen e Becchetti-t.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla është shprehur se Kuvendi, në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor nga një e katërta e deputetëve, ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit, por ia nënshtron diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij.

Ky debat, shtoi Balla, realizohet me qëllim gjetjen e një konsensusi ndërmjet palëve lidhur me objektin e hetimit, deri në arritjen e një vendimmarrje.

Kujtojmë se ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare e ka kërkuar opozita. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur në shtator se opozita do ta nisë ofensivën kundër qeverisë me tre komisione hetimore, që janë; “25 Prilli”, që lideri i PD-së e cilëson “masakër zgjedhore”, inceneratorët dhe çështja “Becchetti”.

Rritja e çmimeve, kryesorja e bukës është një nga pikat e tjera të opozitës, që do të kërkojë uljen e çmimeve të shportës. /abcnews.al/