Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj tha se rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, përfshirë qiratë, pasqyron ndryshimet në tregun shqiptar dhe reflekton presionet në ofertë e kërkesë. Ajo tha se metodologjia e matjes së inflacionit ka nevojë për modernizim sepse shporta e produkteve dhe kushtet ekonomike kanë ndryshuar ndjeshëm me kohë.
“Edhe në analizat e mëparshme kemi kërkuar ndryshimet metodologjike për matjen e inflacionit. Kjo nevojë ka lindur prej vitesh duke qenë se shporta dhe produktet kanë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. Ajo që ne shohim është vazhdimi i rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve dhe, njëkohësisht, kemi rritjen e qirasë, që e ka bërë tregun më të vështirë; nëse mbështetim fort turizmin, turizmin ekonomik — pra apartamentet krahasuar me hotelet — do të ketë një presion për të rritur çmimet e njësive.
Është një normalitet i rritjes dhe zhvillimit të tregut. Lidhet edhe me pjesën e kostove, ku shumë qytetarë e shohin një apartament të dytë si investim për të ardhura plus; kjo ka bërë që të kemi më shumë produkte dhe njësia shërbimi për t’u ofruar në treg. Kjo lidhet edhe me kërkesën që ka tregu — është në disfavor kur kërkesa është më e lartë se oferta, duke rritur çmimet.
Kemi indeksim të pagave në administratë; kjo ka qenë në nivelin 2.5 për qind. Nëse marrim inflacionin — që është rreth 2.3 për qind — kjo normë indeksimi lidhet edhe me zhvillimin e vitit 2025.” / abcnews.al /


