Ndryshe nga liqeni i Prespës, ku vit pas viti ka ardhur në rënie numri i shpendëve ujorë, për shkak të ndryshimeve klimatike, e kundërta ka ndodhur me liqenin e Ohrit.
Sipas specialistit në Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, Gani Bengos, këtë vit në liqenin e Ohrit kemi një rritje të numrit të shpendëve, për shkak se kushtet e florës, të klimës dhe habitatet në këtë liqen nuk kanë ndryshuar. Llojet janë të njëjta ndër vite.
“Në Pogradec kemi 10 grupe numërimi. Rezultatet e para janë të kënaqshme, kemi një numër më të lartë si rezultate të para”, tha Gani Bego, specialist në AZM.
Ndërsa sipas biologut Spase Shumka, shtimi i shpendëve në Pogradec ka ardhur në rritje, për shkak se Liqeni i Prespës ka pësuar ndryshime rrënjësore të habitateve nga ndryshimi i nivelit të ujit, duke bërë që shpendët të kenë gjetur habitat të përshtatshëm në liqenin e Pogradecit.
“Ka ulje të ujit në liqenin e Prespës dhe mendoj se ata kanë shtegtuar për në liqenin e Pogradecit”, tha biologu Spase Shumka.
Për biologun, habitatet e shpendëve dhe streha janë të nevojshme që të ruhen nga shkatërrimi i dorës së njeriut, siç është gjuetia, rritja urbane me anë të zhurmave, ndërtimeve apo turizmit.
Për dy ditë censusi u zhvillua në 34 vende në Shqipëri, ku vetëm 2 prej tyre ishin në Qarkun e Korçës./abcnews.al


