Ministria e Brendshme e Francës hodhi poshtë rreth 5000 kërkesa për akreditim nga vullnetarë dhe punëtorë të Olimpiadës, ku afërsisht 1000 nga këto raste janë bllokuar për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ose spiunazh.
Ministria nënvizoi në një deklaratë se kreu rreth një milion hetime administrative në stafin që po punon për Lojërat e Parisit 2024.
Nga këto kontrolle, u identifikuan kërcënime të ndryshme, duke përfshirë ndërhyrje dhe spiunazh, të dhëna kriminale, statuse të paligjshme të të huajve, islami radikal dhe ideologjitë ultra të djathta dhe ultra të majta.
Një shtetas rus u vu nën hetim paraprak në Paris për shkak të frikës se ai po përgatitej të prishte Lojërat Olimpike, tha zyra e prokurorit të Parisit për CNN. Përveç kontrolleve të personelit, Ministria tha gjithashtu se ka ekzaminuar pothuajse 20 000 banorë që jetojnë në perimetrin e sigurisë rreth Senës, ku do të zhvillohet Ceremonia e Hapjes.
Kjo do të jetë ceremonia e parë e hapjes që do të zhvillohet jashtë një stadium çka rrit kërkesën për të pasur më shumë kontrrolle sigurie. Megjithatë, Ministria shprehu besimin e saj, duke deklaruar se është gati pasi u zhvilluan provat përfundimtare të martën në mbrëmje.
Ndërsa ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, u shpreh optimist: “Franca di të organizojë atë që askush tjetër në botë nuk di të organizojë. Një herë në një shekull, Franca do të tregojë se vendi ynë është më i bukuri në botë”.
/abcnews.al