Shtohen hotelet e bujtinat/ Operatoret turistikë: Problem mbetet nevoja për punonjës

schedule15:58 - 10 Qershor, 2024

schedule 15:58 - 10 Qershor, 2024

Shqipëria po përjeton një hov të madh turistik, ndërsa viti i shkuar u mbyll me 10 milion turistë, pritshmëritë janë që 2024 të thyejë rekordin me mbi 14 milion. Por teksa gara me shifrat duket e fituar, a është në gjendje Shqipëria të përballojë flukse kaq të mëdha turistësh?

Sipas operatorëve turistikë këtë vit janë shtuar kapacitetet akomoduese, megjithatë mbeten sërish jo të mjaftueshme për të përballuar lehtësisht fluksin.

“Janë shtuar goxha, në Durrës, Golem edhe në Rivierë. Por çdo vit e me tepër kërkohen struktura akomoduese. Deri në vitin 2019 ishin diku te 80 mijë shtretër, sot mund të them se janë mbi 250 mije shtretër”, tha kryetari i operatorëve turistikë, Xhimi Lama.

Për shkak të rritjes të numrit të turistëve nga vitit në vit, hotelet e reja janë ndërtuar me kapacitete më të zgjeruara.

“Të gjitha hotelet janë nga 50 deri ne 150 dhoma, e kanë kuptuar çfarë kërkon tregu”, shtoi ai.

Xhimi Lama kryetar i operatorëve turistikë, thotë se sfidë për ta janë burimet njerëzore. Strukturat akomoduese kanë mungesë të theksuar të stafit.

“Të gjithë janë me staf te kufizuar. Pjesa më problematike është edhe për sanitare”, tha Lama.

Operatorët presin që viti akademik të mbyllet më shpejt, për të plotësuar sa më parë boshllëqet e stafeve me studentë.

“Shpresojmë që ministria e arsimit ta marrë parasysh kërkesën tone qe vit akademik te mos mbaroje ne fund te qershorit por me herët dhe te aktivizohen studentet. Gjithashtu qeveria ka bere ndërhyrje për të marrë nga Filipinet dhe Tajlanda”, tha ai.

Për qeverinë, 2024 është cilësuar si viti i provës, ndërsa flukset turistike pritet të jenë tepër të larta. Për të huajt Shqipëria konsiderohet si një vend i paeksploruar dhe me çmime të lira. Numrin më të lartë të turistëve e përbëjnë europianët.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!