Historiania Ledia Dushku, e ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, foli mbi disa prej mistereve dhe boshllëqeve më të rëndësishme që shoqërojnë historinë e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Në fakt ka entuziazëm, por historia nuk është gjithmonë festë. Dhe historian duhet ti qëndrojë larg simbolikës se festës dhe anës emocionale dhe festive që festa ka. Duhet të merret me historinë duhet ta shikojë këtë periudhë jo thjesht si akti politik, por si një periudhë që lidhet me një fazë shumë të rëndësishme të shqiptarëve. Lidhet me atë të shtet ndërtimit, të modernizimit të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore shqiptare. Edhe unë dua ta shoh këtë periudhë në të gjithë dimensionin e saj, ta vendos edhe në një kontekst më të gjerë.” tha ajo.
Ajo theksoi se Shqipëria mbetet “i vetmi shtet në botë pa një certifikatë lindjeje”, duke nënkuptuar mungesën e dokumenteve dhe artefakteve origjinale që lidhen me ditën e 28 Nëntorit 1912.
Sipas saj, mungesa e fotografisë origjinale të asaj dite, si dhe dilemat rreth flamurit historik, janë një peng i madh për historianët. “Shqiptarët janë problematikë me të vërtetën historike”, u shpreh Dushku, duke nënvizuar se mosdakordësitë e protagonistëve të kohës dhe sensi i lartë i rolit personal shpesh kanë krijuar konfuzion në rrëfimin historik.
Dushku theksoi se “shteti shqiptar u formësua me gjak dhe penë”, duke e përshkruar Pavarësinë si produkt të një sakrifice të madhe fizike dhe intelektuale. Ajo u ndal edhe te çështja e flamurit, duke thënë se nga dhjetë variantet e njohura sot, tre konsiderohen më të mundshmet, ndërsa “varianti më i afërt është ai i Marigo Pozos”, për të cilin – sipas saj – ende kërkohet vlerësim dhe shpërblim i merituar.
Historiania shtoi se gjetja e flamurit të vërtetë është bërë një “odise një-shekullore”, që ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare. Edhe numri i firmëtarëve të aktit të pavarësisë mbetet pjesërisht mister: në deklaratë ka 40 firma, por dy delegatë nuk kanë firmosur dhe ende nuk dihet arsyeja.
Në fund, Dushku e cilësoi Ismail Qemalin si “babain e pavarësisë që u mbështet nga djemtë e kombit”, duke theksuar rolin vendimtar të bashkëpunimit dhe vizionit kolektiv në themelimin e shtetit shqiptar.

