Shtetësi me koncesion? Qeveria pajton dy kompani, Shqipëria do ketë ekskluzivitetin e vendimmarrjes

schedule13:57 - 13 Gusht, 2022

schedule 13:57 - 13 Gusht, 2022

Nga Esiona Konomi 

Shqipëria po kërkon investitorë të huaj, të cilët të sjellin paratë në Shqipëri e të përfitojnë kështu shtetësinë shqiptare. Për këtë, Qeveria ka vendosur sipas kësaj VKM-je që një pjesë e procedurave të jepen me koncesion.

Bledar Skënderi, drejtues i agjencisë që harton programet e veçanta të shtetësisë, sqaron për ABC si vijon procedura.

“Agjencia do të bëjë vetëm promovimin e pasaportës shqiptare. Do kërkojë klientët potencialë të mundshëm për të ardhur në Shqipëri. Meqë shteti shqiptar nuk ka kapacitete për të ngritur zyra përfaqësimi në të gjitha shtetet që mendohet se mund të kenë interes për të ardhur në Shqipëri, duke kërkuar pasaportën tonë, ky shërbim do të jepet nga një kompani ndërkombëtare të huaj, që do të bëjë vetëm këtë gjë. Është si të thuash agjenci turistike që do bëjë promovimin e Shqipërisë nëpër botë”, tha ai. 

Sipas Skënderit, shteti shqiptar ruan ekskluzivitetin e vendimmarrjes.

“Të gjitha kompetencat u ngelen autoriteteve të shtetit shqiptar. Kontrolli i pastërtisë së figurës apo burimeve financiare të klientit potencial të mundshëm i cili aplikon për të marrë pasaportën shqiptare, bëhet njëkohësisht në dy drejtime. Së pari, verifikohet përmes kompanive të mirënjohura ndërkombëtare të certifikuara për këto çështje, për pastërtinë e figurës dhe pjesën ekonomike, dhe së dyti, agjencia vetë, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese shqiptare, bëjnë verifikimet e tyre. Me Shërbimin Informativ Kombëtar, me Policinë e Shtetit, me institucionet homologe të tyre Interpol, etj, sillet informacion duke u bërë verifikim i dy anshëm i personit që aplikon për të marrë pasaportën tonë”, shtoi Skënderi.

Një tjetër kompani ndërkombëtare do të verifikojë nëse të pasurit që duan të bëhen shqiptarë, kanë probleme penale, apo i zotërojnë në të vërtetë paratë që pretendojnë t’i investojnë në vendin tonë.

“Do të kontraktohet një kompani tjetër e cila do të bëjë kontrollin e figurës së aplikantit dhe të aftësive të tij financiare”, tha Skënderi.

Skënderi thotë se shteti shqiptar nuk do të paguajë për këto shërbime.

“Ky shërbim taksapaguesve shqiptarë nuk do t’ju kushtojë asnjë lek. Agjencia do të marrë pagesë nga aplikanti i huaj në rast suksesi të rastit”, tha ai.

Qeveria vijon përpara me këtë program për të dhënë pasaporta me pagesë, edhe pse BE është kritike.

“Garancia për partnerët tanë është se ne do të ndërtojmë një program të hapur, transparent dhe të pakorruptueshëm”, tha Skënderi.

Shteti shqiptar nuk e ka ende çmimin e pasaportës shqiptare për të huajt e për këtë po studiojnë rastet e Malit të Zi, Maqedonisë, etj.

“Vlera e investimit është një pjesë e rëndësishme e konkurrueshmërisë. Ne duhet të ndërtojmë një program konkurrues me fqinjët tanë. Por elementë të tjerë që ndikojnë që të kemi sukses është shpejtësia e veprimit të agjencisë, qartësia e procedurave, etj.”, përfundoi ai. 

Programi ekonomik i shtetësisë nënkupton se një i huaj, merr pasaportë shqiptare nëse investon në vendin tonë një shumë të majme parash, që në disa vende shkon në miliona euro./Abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!