Autoritetet talebane do të lejojnë 100 deri në 150 amerikanë të largohen me avion nga Kabuli gjatë orëve të ardhshme, thanë zyrtarët në Katar të enjten. Ky do të jetë fluturimi i parë i tillë që kur forcat amerikane u larguan nga vendi.
Grupi i madh i të huajve, ndër ta shtetas amerikanë dhe të vendeve perëndimore, do të largohen të enjten me një avion të linjës ajrore Qatar Airways, e cila ka transportuar edhe më parë ndihma humanitare drejt Afganistanit, thanë zyrtarët.
Nga pista në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, Mutlaq bin Majed al-Qahtani, i dërguar special i Katarit, tha se fluturimi do të nisej me amerikanët dhe perëndimorët në bord.
“Quajeni si të dëshironi, një çarter ose një fluturim komercial, të gjithë kanë bileta dhe konfirmimin e vendit në avion”, tha ai, duke shtuar se një fluturim tjetër komercial do të nisej të premten. “Shpresojmë që jeta po bëhet normale në Afganistan”.
Zyrtarët e Katarit, të cilët folën në kushte anonimiteti përpara njoftimit zyrtar, informuan për numrin e shtetasve amerikanëve.
Largimi i një grupi të madh amerikanësh për herë të parë që kur Shtetet e Bashkuara përfunduan fushatën masive të transportit ajror në fund të gushtit do të sinjalizonte gjithashtu se zyrtarët amerikanë kanë arritur një marrëveshje me sundimtarët e rinj talebanë.
Ditët e fundit, kishte një përplasje mes talebanëve dhe organizatorëve të disa avionëve charter, të cilët kishin shpresuar të evakuonin amerikanët dhe afganët e rrezikuar nga një aeroport në Afganistanin verior. Talebanët kanë thënë se do të lejojnë që udhëtarët me dokumente të vlefshme udhëtimi të largohen, por se shumë prej personave në aeroportin verior nuk kishin dokumenta të tilla./VOA