Presidenti i SHBA Joe Biden nuk ka në plan të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.
E pyetur nëse qasja diplomatike e Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut mund të përfshijë një takim me Kim, siç bëri ish-Presidenti Republikan Donald Trump, Shtëpia e Bardhë tha “Qasja e tij është shumë e ndryshme dhe ky nuk është qëllimi i tij”.
Javën e kaluar Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike. Uashingtoni menjëherë bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit i OKB të reagojë.
Të enjten, Biden tha se Shtetet e Bashkuara mbetën “të hapura” për një zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut, megjithë provat e raketave, por paralajmëroi se do të kishte një përgjigje nëse përshkallëzohej situata.
Donald Trump u takua me Kim tre herë dhe të dy shkëmbyen letra, por më pas marrëdhënia e tyre ngriu dhe Koreja e Veriut tha se nuk do të diskutonte më tej nëse Uashingtoni nuk ndryshon politikën e tij armiqësore./ db/ Abcnews.al

