Këshilltari i ekonomisë për Shtëpinë e Bardhë, Brian Deese, tha se rritja e çmimeve është një problem global i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe nuk është rezultat i politikave të Presidentit Joe Biden. Deese, tha për CNN se administrata e Biden nuk kishte bërë asnjë gabim duke theksuar se inflacioni mund të jetë një problem afatmesëm.
Çmimet e konsumit në SHBA javën e kaluar shënuan rritjen më të madhe në 31 vite, të nxitura nga rritja e kostos së benzinës dhe mallrave të tjera. Republikanët janë shprehur të shqetësuar mbi rritjen e inflacionit, duke pretenduar se kjo rritje pasqyron agjendën e shpenzimeve gjithëpërfshirëse të Biden.
“Nuk ka dyshim se inflacioni është më i lartë tani. Ai po ndikon në ekonominë e amerikanëve. Po ndikon në perspektivën e tyre,” tha Brian Deese. “Por është e rëndësishme që të bëjmë një analizë të thellë të situatës. Kur presidenti mori detyrën, ne po përballeshim me një krizë ekonomike të gjithanshme.”
Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetmet që po përballen më një periudhe inflacioni të ashpër, me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që ka treguar inflacion të lartë në 38 vendet e saj anëtare dhe çmimet e naftës janë katërfishuar në 18 muajt e fundit ndërsa ekonomitë u rihapën pas muajsh për shkak të COVID-19.
Të hënën, Biden do të nënshkruajë një projekt-ligj të infrastrukturës dypartiake prej 1 trilion dollarësh që pritet të krijojë vende pune në të gjithë vendin.
/abcnews.al