Shtëpia e Bardhë: Biden do të ulë deficitin me 3 trilionë dollarë

schedule22:25 - 8 Mars, 2023

schedule 22:25 - 8 Mars, 2023

Propozimi i Presidentit Joe Biden për buxhetin synon të ulë deficitin e Shteteve të Bashkuara me gati 3 trilionë dollarë përgjatë 10 vjetëve, tha sot Shtëpia e Bardhë. Kjo shifër shumë me tepër se angazhimi i mëparshëm i zotit Biden, për të ulur deficitin me 2 trilionë dollarë.

“Ka një diferencë prej thuajse 6 trilionë dollarësh mes buxhetit të propozuar nga presidenti dhe agjendës së republikanëve në Kongres”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, duke aluduar se planet e opozitës do të rrisnin borxhin me 3 trilionë dollarë të tjerë.

Republikanët nuk kanë prezantuar ende buxhetin dhe shifra prej 3 trilionë dollarësh që përmendi zonja Jean-Pierre është një përllogaritje e bërë nga Shtëpia e Bardhë bazuar në projekt-ligjet e propozuara nga republikanët, të cilët nuk marrin parasysh propozimet për të shkurtuar shpenzimet.

Presidenti Biden, i cili ka në plan ta prezantojë planin e tij të buxhetit të enjten, e përmendi uljen e deficitit me 2 trilionë dollarë në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, në shkurt .

“Këtë javë, unë do t’u tregoj amerikanëve vizionin tim të plotë për buxhetin, për të ulur kostot për familjet dhe për të rritur ekonominë, pa ngritur taksat për këdo që ka të ardhura nën 400,000 dollarë,” u shpreh të mërkurën Presidenti Biden përmes një postimi në rrjetin Twitter.

“U bëj thirrje miqve të mi republikanë në Kongres të bëjnë të njëjtën gjë. Tregojini popullit amerikan se çfarë vlerësoni.”

Presidenti demokrat do të propozojë rritjen e taksave për kompanitë dhe individët me të ardhura mbi 400,000 dollarë në vit, duke mos prekur shpenzimet e detyrueshme si programet sociale apo kujdesi shëndetësor për të moshuarit.

Megjithatë, përgjegjës për miratimin e buxhetit është Kongresi, aty ku republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!